Më në fund, Kukësi mund të gëzojë. Tashmë presidenca e klubit ka vendosur që ditën e sotme të hapë stadiumin e ri, i ndërtuar rishtazi për skuadrën, që prej 3 vitesh shtegton në të gjithë stadiumet e Shqipërisë, duke nisur nga stadiumi “Loro Boriçi” dhe deri në “Elbasan Arena”.
Ndeshja që do inaugurojë stadiumin, do jetë mes Kukësit dhe Laçit, e vlefshme për javën e 30-të të Abissnet Superiore.
30 maj 2019 është data, kur Kukësi ka zbritur për herë të fundit në stadiumin e tij. Shumë ditë pritjeje dhe migrim nëpër thuajse të gjitha qytetet e Shqipërisë, të cilat kanë pasur ndikimin edhe në rezultatet e arritura, sepse në Shqipëri faktori fushë vijon të jetë ende i rëndësishëm.
Tashmë, duket se gjithçka është harruar dhe lënë pas, sepse tani në kampin verilindor shohin përpara, teksa duan të gëzojnë të tashmen dhe të ardhmen.
I gjithë qyteti i Kukësit po “zien” këto ditë dhe për ta pasur të mbushur plot e përplot, drejtuesit kanë vendosur që hyrja të jetë falas. Pritet që në stadium të ketë rreth 6 mijë të pranishëm në mbështetje të ekipit të tyre.
Mësohet se jo vetëm kuksianë që banojnë në Kukës do të jenë në stadium, por edhe ata tifozë që jetojnë në një tjetër qytet apo edhe nga jashtë vendit.
Kështu, me stadiumin e ri, mbyllet edhe mundësia e luajtjes së ndeshjeve të Kukësit në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.
Maringlen ZHIVANI