Vllaznia e femrave do të luajë ditën e sotme ndeshjen e rradhës për kampionatin e femrave ndaj Teutës. Në prag të kësaj ndeshjeje, trajneri i ekipit shkodran, Nikolin Leka ka dhënë një intervistë për “Shkodra Sport”, teksa u shpreh se pavarësisht renditjes së ekipit të Teutës, vajzat shkodrane e kanë vlerësuar si ndeshje.

Ndër të tjera, Leka theksoi se Vllaznia e femrave dominon futbollin në Shqipëri, falë punës së jashtëzakonshme që bën presidenti Lazër Matija. Ai u shpreh se serioziteti dhe disiplina, kanë bërë që ekipi i Vllaznisë në futboll për femra të dominojë gjithë këto vite në futbollin shqiptar, teksa theksoi se me këtë ecuri, do vazhdohet edhe në të ardhmen.

“Luajmë ndeshjen e rradhës me Teutën. Kështu, pavarësisht renditjes së ekipit të Teutës, ne vlerësojmë çdo ndeshje kushdo qoftë kundërshtari, që kemi përballë.

Gjendja e ekipit është e mirë. Nuk kemi mungesa për arsye dëmtimtesh, sepse për kartonë te ekipi jonë, nuk bëhet fjalë për kartonë të kuq.

Natyrisht që, Vllaznia e dominon futbollin në Shqipëri. Kjo falë punës dhe menaxhimit të jashtëzakonshëm, që bën presidenti Lazër Matija dhe stafet teknike, që kanë punuar aty ndër vite dhe këtij aktual, por pa u harruar puna e palodhur e vajzave, serioziteti dhe disilina. Të gjitha këto, kanë bërë që ekipi i Vllaznisë, të dominojë gjithë këto vite dhe padyshim që me këtë ecuri, do vazhdojmë edhe në të ardhmen.

Atëherë, para se të flasim për ndeshjet në Champions League, ne duhet të mbarojmë kampionatin, sepse nuk ka mbaruar akoma. Ne jemi në rrugën e duhur për ta fituar, por përderisa ka edhe katër ndeshje për t’u zhvilluar, duhet të rrimë me këmbë në tokë, derisa të na lejojë matematika, por gjithmonë duke shikuar edhe merkaton para ndeshjeve të Champions League.

Presidenti Lazër Matija është duke punuar në drejtim të përforcimeve, sepse objektivat e ekipit tonë, përveç trofeve brenda vendit, siç dihet janë kampionati dhe Kupa. Kemi edhe objektivin që të renditemi në mes 32 ekipeve më të mira. Këtë gjë e kemi arritur dy herë dhe do vazhdojmë me këtë objektiv.

Unë ju falënderoj ju dhe gjithë mediat në Shkodër, si të shkruar ashtu edhe vizive, që pasqyroni vazhdimisht ecurinë e futbollit të femrave dhe sidomos ekipit të Vllaznisë”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Vllaznisë së femrave, Nikolin Leka.

Maringlen ZHIVANI