I shpejtë, i fortë dhe deciziv. Kilian Mbape është vetëm 23 vjeç, por që tani konfirmohet se historia e Kupave të Botës do të flasë shumë për yllin e Kombëtares së Francës.

Ashtu si Pele, ai mund të bëhet lojtari i dytë i vetëm në histori që do të fitonte dy Botërorë pa bërë ende 24 vjeç, por mbi të gjitha në një tjetër statistikë e ka mposhtur mbretin brazilian: Në dy edicione të një Kupe Bote ka shënuar 9 gola (vetëm 7 për Pelenë).

Me 5 realizimet e deritanishëm në Katar, numri 10 i Francës projektohet që të vendosë rekorde të frikshme, që ndoshta vështirë se do të mund të thyhen për dekada të tëra në vazhdim, por për të parë se cilat, duhet të presim ende. Ndërkohë, golashënuesi më i mirë i kësaj Kupe Bote, është gjithashtu është një prej lojtarëve më të shpejtë në terrenin e lojës, duke kapur 35.3 kilometra në orë me topin në këmbë, ndonëse nuk ka ndërmend që të ndalet me kaq.

Nëse deri tani mposht Lionel Mesin në garën e golave, ashtu si “Pleshti” edhe ai numëron 2 asiste për gol. E thënë në një mënyrë tjetër, Kilië Mbape, është protagonist absolut për Francën, duke qenë se ai ofron 1 gol ose 1 asist çdo 64 minuta në “Katar 2022”, diçka që as i afrohet dikush tjetër deri në fazën çerekfinale të sapombyllur.

Ashtu si Lionel Mesi te Argjentina, edhe Kilië Mbape është i pazëvendësueshëm, por ndryshe nga shoku i tij i skuadrës te PSG-ja, francezi e ka pasur luksin që të pushojë për disa minuta, duke qenë se ndaj Tunizisë, ai zbriti në fushë vetëm në pjesën e dytë dhe diçka e tillë në një Botëror është një bonus jo i vogël, duke menduar se ka luajtur 100 minuta më pak sesa “Pleshti”, në rast të një përplasjeje të të dyve në finalen e madhe të këtij edicioni të Kupës së Botës.

Gjithsesi, ka dy statistika ku Mesi e mposht Mbapenë, goditjet në portë (20 nga 22 në kuadrat, e cila do të thotë se Mbapesë i janë dashur 4 tentativa për të dërguar një herë topin në rrjetë) dhe për numër driblimesh (vetëm 8 francezi, kundrejt 12 të Mesit).