Trupi i pajetë i sportistit shkodran Pjetër Shkafja (Petros Skafias) ka mbërritur pasditen e djeshme nga Greqia në qytetin e Shkodrës, aty ku sot do të zhvillohet ceremonia e varrimit të tij. E mbuluar me dy flamuj shqiptarë, makina me arkivolin e tij ka udhëtuar nga vendi fqinj dhe ka mbërritur në qytetin e lindjes së tij, aty ku dhe do të prehet trupi i tij.

Siç është bërë e ditur, 24 vjeçari ka ndërruar jetë pak ditë më parë pas një ataku kardiak dhe kjo padyshim që ka shkaktuar bujë jo vetëm në Greqi por edhe në vendin tonë. Kjo ngaqë ka qenë një vdekje e rëndë dhe për më tepër, kemi patur të bëjmë me një sportist i cili po e shkruante emrin e tij sukses pas suksesi.

Dhe në çdo fitore të arritur, ai jo më kot mbante në qafë flamurin shqiptar. Shkafaj është konsideruar një nga sportistët më të mirë në sportin e MMA-së megjithatë nuk ka qenë e thënë që karriera dhe jeta e tij të vazhdonte më gjatë.

Humbja e tij ka shkaktuar një dhimbje të thellë tek familja e cila është me origjinë nga Thethi e që jeton prej vitesh në Shkodër.

Si djali i vetëm i saj, vdekja e tij është bërë edhe më tragjike dhe kjo është parë edhe dje në momentin e mbërritjes së trupit në qytetin tonë ku me qindra njerëz kishin dalë për ta pritur dhe për të ngushëlluar pjestarët e familjes për këtë humbje të madhe.
© shkodrasport.com