Më shumë se dy orë analizë dhe diskutime. Te Vllaznia janë të gjithë të shqetësuar në lidhje me situatën ku ndodhet skuadra shkodrane pas humbjes me Luftëtarin.

Ish-sportistë, anëtarë të Këshillit Bashkiak, kryebashkiakja e Shkodrës, pjesëtarë të stafit drejtues e atij teknik dhe sigurisht lojtarët, morën pjesë në takimin e djeshëm.

Administratori i klubit shkodran, Astrit Gjyrezi, në fund të takimit doli përpara mediave, duke bërë një përmbledhje të asaj që ndodhi në analizën më se 2-orëshe.

Një analizë që ka zgjatur dy orë, a mund të zbuloni diçka se çfarë është diskutuar aty brenda?

Ishte një analizë e ndeshjes së kaluar me Luftëtarin, por folëm edhe për humbjen me Teutën.

Gjithsesi, ky takim ishte organizuar në mënyrë të atillë që të jetë mbështetje për skuadrën.

Një kërkesë e domosdoshme edhe nga ana e lojtarëve për përgjegjësitë e tyre që duhet të marrin në këto ndeshje.

Kampionati nuk na lejon që të bëjmë më hapa fals. Të gjithë ata që ishin të ftuar në këtë mbledhje, që nga ish-lojtarë, anëtarë të Këshillit dhe sigurisht, kryebashkiakja u nxor konkluzioni që të gjithë të mbështesim këtë grup.

Të gjithë kanë përgjegjësitë e tyre që të dalim nga kjo situatë. Shpresojmë që me ndeshjen e radhës ndaj Laçit, të nisë kthesa e shumëpritur nga të gjithë.

Do të ketë penalizime për lojtarët?

E rëndësishme është që të dalim nga kjo situatë dhe të marrim pikë.