Liga Profesioniste e Futbollit shqiptar do të mblidhet sërish sot për të diskutuar rreth çështjes së plotësimit të 4 kërkesave të parashtruara për qeverinë,  mosplotësimi i të cilave është bërë shkak për bojkotimin e sezonit të Kategorisë Superiore pa afat.

“Panorama Sport” ka siguruar axhendën e mbledhjes së sotme të klubeve të elitës së futbollit shqiptar. Njëra prej 3 pikave të diskutimit është dhe përcaktimi i grupit negociator që do të ulet në bisedime me qeverinë.

Ndërkohë, në rendin e ditës është futur dhe opsioni i diskutimit të hapave të mëtejshëm në rast refuzimi të qeverisë.

Kujtojmë që ditën e djeshme kryeministri Edi Rama u shpreh i hapur për të diskutuar 4 pikat e parashtruara të klubeve të Kategorisë Superiore.