Dje ka mbërritur në Shkodër dhe më pas ka firmosur kontratën që do ta lidhë për një sezon me Vllazninë, por ndërkohë gajtë ditës së sotme, nuk është aktivizuar për asnjë minutë në miqësoren e luajtur ndaj Kastriotit.

E kemi fjalën për mbrojtësin brazilian Cassiues Vinicius Coelho. 25 vjeçari megjithatë ka qenë me skuadrën në Fushë- Krujë dhe ka qëndruar gjatë gjithë kohës në pankinë.

Stafi teknik e ka parë të arsyeshme që të mos e aktivizojë për shkak të lodhjes nga udhëtimi i gjatë sepse do të ketë të tjera mundësi për të treguar vlerat e tij.

Cassius konsiderohet një përforcim i rëndësishëm i Vllaznisë në qendër të mbrojtjes dhe ai është parashikuar që të formojë dyshen bashkë me Adilin. Kuptohet që kuqeblutë duan të përfitojnë edhe prej shtatëlartësisë së tij, megjithatë e rëndësishme është që lojtari të kapë sa më shpejt formën fizike.

Për këtë arsye, nga dita e nesërme do të nisë stërvitjen me ekipin dhe stafi teknik do të shohë nga afër gjendjen e tij dhe atë se ku mund të përmirësohet në mënyrë që t’i bashkohet sa më shpejt pjesës tjetër të lojtarëve në stërvitje.
www.shkodrasport.com