Ilir Daja dhe Nevil Dede janë sot rivalë në derbi, njëri në pankinën e Partizanit dhe tjetri të Tiranës. Por, dikur, kjo dyshe, njëri trajner dhe tjetri lojtar, fitonin së bashku me të njëjtën skuadër: Elbasanin, në vitin 2006. Ilir Daja ishte në fillimet e karrierës së tij, ndërsa Nevil Dede në kulmin, ndryshe nga sa janë sot, ku duket sikur rolet kanë ndryshuar disi, por ambiciet i kanë të njëjta.

“Panorama Sport” intervistoi presidentin e klubit të Elbasanit, Arben Laze, i cili bashkoi këtë dyshe në kohën kur financonte verdheblutë dhe bënin historinë së bashku. Si i kujton Laze ato kohë, nëse kanë pasur ndonjëherë kontradikta midis tyre dhe ndikimin që ka pasur kapiteni Dede te trajneri Daja. Sipas tij, marrëdhënia e tyre ka qenë më shumë si kolegë, sesa ajo e një trajneri dhe të një lojtari, por gjithmonë duke ruajtur raportin dhe duke mos tejkaluar limitet.

Laze, në pankinat e Partizanit dhe Tiranës janë dy trajnerë që dikur kanë bërë historinë me Elbasanin, Daja-Dede. Çfarë do të thotë për ju?

Normalisht më vjen mirë që kanë arritur në këtë pikë dhe që drejtojnë dy nga ekipet më të mira të vendit. Kush ka qenë dikur pjesë e Elbasanit, ka bërë karrierë dhe ka ecur. Për këtë mund të ndiej vetëm kënaqësi, për më tepër që bëhet fjalë për dy miq të mi shumë të mirë.

Si i kujtoni kur kanë qenë pjesë e Elbasanit?

Në fakt, ishin në role të ndryshme atëherë. Kujtimet normalisht janë nga më të bukurat sepse kanë qenë dy nga njerëzit më të rëndësishëm që i dhanë edhe titullin kampion skuadrës.

Si ka qenë marrëdhënia midis tyre?

Me sa e di unë ka qenë e shkëlqyer. Dhe, pavarësisht se ishin në pozicione të ndryshme, Dede ishte më shumë si një koleg për Dajën në ato vite dhe jo thjesht një lojtar. Dede kishte një vit më shumë në skuadër, pasi kishte ardhur që nga koha kur dolëm nënkampion me Artan Bushatin. Ai e njihte mirë ambientin dhe për më tepër që ka qenë në kulmin e karrierës së tij, kapiten i skuadrës dhe peshën e kishte më të madhe se çdo lojtar tjetër. Në këtë aspekt, kishte më shumë ndikim edhe te trajneri, siç ndodh gjithnjë dhe në çdo ekip.

I ndërhynte ndonjëherë në formacion?

Jo, jo. Nuk kam dijeni për këtë dhe nuk e besoj të ketë ndodhur. Është tjetër gjë ndërhyrja dhe tjetër gjë ajo që thashë unë, se ishin më shumë si kolegë.

A kujtoni ndonjë moment problematik apo tensioni midis tyre?

Unë isha president dhe presupozohet që të më vinin informacionet për atë që ndodhte në ekip, sidomos ndonjë problem. Por, nuk ka pasur asnjë moment që njëri apo tjetri të më kenë thënë për ndonjë pakënaqësi për njëritjetrin. Për aq sa unë kam dijeni kanë shkuar shumë mirë.

Cilin do të veçonit nga të dy?

Pyetje e vështirë. E them këtë, jo se jam nga ata që nuk bëj zgjedhje kur më kërkohet, por realisht i kam shumë miq të dy edhe sot e kësaj dite. Çfarë të them… Dede qëndroi tre vjet në Elbasan, u bë lider… Nga ana tjetër, Daja ishte trajneri që i dha titullin… Nuk veçoj dot asnjë. Secili prej tyre ka bërë në mënyrë të shkëlqyer rolin e tij, sepse në të kundërt as Elbasani nuk do të shpallej dot kampion.

Për cilin nga të dy do të bëni tifo nesër (sot)?

(Qesh) Jua thashë nuk e zgjedh dot. Bëj tifo vetëm për Elbasanin dhe nuk e ndryshoj këtë gjë as për Dajën dhe Deden. Uroj që të fitojë skuadra që do ta meritojë dhe trajnerët në fund t’i japin dorën njëri-tjetrit, pavarësisht se cili do të jetë rezultati.

Nëse do kishit mundësi, do t‘i riktheni sërish tek Elbasani dhe në çfarë pozicionesh?

Po, me shumë kënaqësi dhe mos ju duket edhe aq e pamundur kjo puna e rikthimit. Besoj se do të bashkëpunonin shumë mirë bashkë, si dikur kur dolëm kampion. Kësaj here thjesht do t’i rrisja në pozicione, njërin administrator dhe tjetrin shef klubi ndoshta. Edhe diçka, nëse do të isha Amand Duka dhe do kisha mundësi të zgjidhja trajnerin e Kombëtares, do të vendosja këtë dyshe.