Vllaznia U19 fitoi ndaj Internacional Tiranës, duke bërë autokritikë për lojën e zhvilluar me Shënkollin. Një ndeshje fantastike e kuqebluve, të cilët emocionuan çdokënd të pranishëm me ndeshjen e djeshme. Zv/trajneri i Vllanzia U19, Malvin Meçarovi, pas ndeshjes foli për “Shkodra Sport”.

“Faktikisht, grupi ku jemi ne, nuk ka kurrë fitore të lehta. Ishte një ndeshje që e kishim vlerësuar shumë, sepse janë ndeshjet e fundit të fazës së dytë dhe ne duhet të mbajmë vendin e parë. Me këtë ndeshje, shkëputemi edhe njëherë tre pikë prej vendit të dytë.

Shiko, gjithmonë është e vështirë të mbash një ritëm. Ulje-ngritjet njihen. Për ne ishte e rëndësishme, që dje bëmë autokritikë dhe prej fillimit deri në fund, ishim ne ato, që ishim të zotët e lojës. Ishim ne ato që për asnjë moment nuk e vendosëm lojën në diskutim. Ishin djemtë që luftuan për çdo top. Ishin djemtë që luftuan në çdo sekondë dhe ia arritën. E bënë punën më të lehtë. Pra, djersitën shumë në fushën e lojës dhe e bënë shumë më të lehtë arritjen e
rezultatit.

Shënimi i golave nga të gjitha është i rëndësishëm në skuadrën tonë, sepse nuk varemi prej një individi. Nuk varemi prej ngërçit të një lojtari. Për ne, është e rëndësishme që loja të shpërndahet. Për ne, është e rëndësishme që golat shpërndahen. Kjo tregon që është një grup i fortë dhe nuk varet prej individëve. Pra, është një grup, ku punojnë të gjithë, është një grup ku munden që të shënojnë të gjithë, është një grup, ku munden të sulmojnë të gjithë dhe munden të mbrojnë të gjithë.

Me kalimin e javëve, ekipi ka ardhur duke u konsoliduar. Me kalimin e javëve, loja ka ardhur, duke u rritur dhe këtë e tregon edhe renditja aktuale.

Po, shpresojmë që ta mbyllim në vendin e parë, dy fazat e para dhe shpresojmë që edhe ndeshjen e rradhës, që e kemi me Tiranën, një kundërshtar shumë i fortë, të marrim maksimumin e mundshëm dhe të mbajmë vendin e parë.

Më e rëndësishme, është që ka disa elementë cilësorë. Edhe për momentin, po stërviten dhe po thirren nga ekipi i parë. Bashkëpunimi është jashtëzakonisht i mirë me ekipin e parë dhe për ne kjo është më e rëndësishme. Përderisa, lojtarët thirrën, përderisa stafi i ekipit të parë, i ndjek shumë shpesh, pothuajse në çdo ndeshje lojtarët, kjo është më e rëndësishme se sa rezultati.

Nëse ne, kemi lojtarë që janë në ekipin e parë edhe rezultati nuk do të mungojnë. Pra, rezultati për ne, është dytësore. Për ne, është e rëndësishme, që të ndihmojmë djemtë, që të jenë sa më afër ekipit të parë dhe të vazhdojnë ky bashkëpunim, që është për momentin me ekipin e parë”,-mbylli prononcimin e tij, zv/trajneri i Vllaznia U19, Malvin Meçarovi.
Maringlen ZHIVANI