Pas fitores në shtëpi kundër Egnatias, te Skënderbeu kërkojnë vazhdimësi në rezultate, teksa të dielën luajnë në transfertë kundër Vllaznisë në orën 16:45 në stadiumin “Loro Boriçi”.

Korçarët vijnë në këtë takim me moralin në majë, por mbi të gjitha bardhekuqtë i motivon fakti që kanë lënë pas një tjetër ekip në klasifikim.

Për trajnerin Migen Memelli, pavarësisht se bëhet fjalë për një kundërshtar të vështirë, diferencën duket se e bën mënyra specifike e të interpretuarit të takimit. “Ne kemi ende shumë finale për të luajtur dhe normalisht fitorja e mesjavës përballë Egnatias, thjesht na ka rritur moralin dhe numrin e pikëve në klasifikim.

Megjithatë, duhet të vlerësojmë maksimalisht çdo takim. Secila ndeshje ka një specifikë të sajën dhe ne do të përgatisim një plan më të detajuar në Shkodër, pasi Vllaznia është mes skuadrave pretendente dhe kërkon kujdes maksimal.

Unë kam përshtypjen, për të mos thënë jam i bindur, që Skënderbeu im do të tregojë një nivel të lartë loje, sikundër kemi bërë ndaj Kukësit, Teutës dhe Tiranës, ekipe të cilat janë po aq pretendente sa edhe shkodranët. Jam i bindur që ky ekip do të bëjë një tjetër performancë të jashtëzakonshme”, ka thënë fillimisht Memelli.

TRANSFERTAT

I bindur te forca e ekipit të vetë, Memelli nuk i trembet transfertës në Shkodër, duke thënë se ekipi i tij është ndërtuar në atë mënyrë për të guxuar maksimumin edhe në fusha delikate. “Ne jemi mësuar tashmë të guxojmë dhe të luajmë gjithmonë për maksimumin. Këtë e them përpos faktit se luajmë në transfertë këtë takim.

Qasja jonë do të jetë e njëjtë. Kemi guxuar kur kemi luajtur në transfertë me Teutën, si dhe kemi guxuar me Partizanin që meritonim më shumë. Do të guxojmë edhe ndaj Vllaznisë. Ne guxojmë kudo. Kjo vjen për shkak të harmonisë së mirë që ka në ekip dhe besimit që kemi te cilësitë e lojtarëve që janë pjesë e ekipit”, deklaroi trajneri i Skënderbeut për gazetën.

KLASIFIKIMI

Numrin një të pankinës korçare nuk e shqetëson aspak klasifikimi. Ai është i bindur se balancat do të ndryshojnë shumë shpejt nëse Skënderbeu vijon të mbajë këtë ritëm loje. “Nuk më shqetëson për momentin klasifikimi, pasi ka shumë javë dhe pikë në lojë. Me këtë ritëm të lartë loje që ka ekipi im dhe rritjen e vazhdueshme që po pësojmë, nuk jam aspak i shqetësuar.

Do të habiteni kur të na shihni shumë lart”, përfundoi Memelli, duke shfaqur besimin e plotë te skuadra. Ndërkohë, mesfushori Jurgen Vrapi është i vetmi lojtar në dyshim për korçarët në këtë takim, teksa vjen pas një dëmtimi. Pjesa tjetër e ekipit është e gjitha në dispozicion të trajnerit bardhekuq.