Memoriali I 10-të ndërkombëtar I boksit që do të zhvillohet në muajin prill në Shkodër, këtë vit do të ketë edhe mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Premtimi për këtë është bërë nga vetë numri 1 I kësaj Ministrie, Aldo Bumçi. Një premtim I tillë I është bërë presidentit të Federatës Shqiptare të Boksit Gjergj Leqejza dhe trajnerit të ekipit kombëtar dhe njëkohësisht atij të Vllaznisë Zef Gjoni në takimin që ka patur me to dy ditë më parë. Këtë e ka bërë të ditur për gazetën “Shkodra Sport” trajneri Gjoni I cili ka thënë: “Sivjet është një vit jubilar I organizimit të Memorialit ndërkombëtar të Shkodrës, I 10-ti vit rradhazi. Duke qenë I tillë, natyrisht që do të ketë një pjesmarrje të madhe nga shumë vende të botës dhe për këtë arsye, duhen shumë financa. Bashkia Shkodër ashtu si çdo vit tjetër ka marrë përsipër një pjesë të shpenzimeve por ata janë të pamjaftueshme dhe në këtë kontekst, sëbashku me presidentin e Federatës z. Leqejza, trokitëm në dyert e Ministrisë që mbulon sportin. Në takimin që patëm me ministrim z.Aldo Bumçi, gjetëm gatishmërinë e plotë të tij për ta mbështetur këtë aktivitet dhe sportin e boksit në tërësi. Ky është një lajm I mirë për ne dhe natyrisht që ndjehemi mirë me garancinë që na dha titullari I këtij institucioni për të na ndihmuar”. Zef Gjoni në fakt përveçse trajner I Vllaznisë dhe I kombëtares shqiptare prej vitesh, është edhe inisiatori dhe organizatori kryesor I Memorialit Ndërkombëtar të Boksit që zhvillohet prej 10 vitesh në Shkodër në kujtim të figurave të shquara të këtij sporti në Shkodër që nuk jetojnë më. Pikërisht për këtë mbështetje që ka marrë nga Ministri Bumçi, ai është mëse I kënaqur sepse më në fund sipas tij një Ministër mendon për këtë sport. “Në fakt, deri më tani vetëm Bujar Leskaj në kohën kur ishte ministër I sportit la gjurmë tek sporti I boksit me investimet për ndërtimin e dy palestrave në Shkodër dhe Vlorë dhe po ashtu edhe në mbështetjen në disa aktivitete të tjera. Pas tij, asnjë ministër tjetër nuk I hodhi sytë nga boksi pavarësisht se çdo vit organizonim aktivitete të rëndësishme, merrnin pjesë në Europianë e Botërorë por asnjë mbështetje duke na lënë krejtësisht pas dore. Tashmë të shpresojm që me fjalën e dhëna nga ministri aktual Bumçi, të kemi edhe një cilësi më të madhe në këtë sport. Nëse vitin e kaluar patëm pjesmarrës në Memorialin e Shkodrës 11 shtete, duke qenë të pranishëm edhe kampionë olimpikë dhe kampionë bote, sivjet mendojmë që të ketë edhe një pjesmarrje më të madhe”. Ndonëse në pamje të parë të duket se është ende herët, në fakt nuk është kështu. Në Shkodër kanë nisur nga puna  për këtë Memorial që do zhvillohet në datat 5-9 prill. Pjesmarrja pritet të jetë edhe më e madhe sivjet dhe prandaj dhe nuk ka kohë për të humbur në mënyrë që gjithçka të shkojë ashtu si duhet.
Gjergj KOLA