Mario Giuffredi, agjenti i mbrojtësit të kombëtares Shqiptare, Elseid Hysaj si dhe lojtarit tjetër të të kaltërve, Mario Rui, në një intervistë të dhënë për mediat italiane, foli për sezonin e të dy klientëve të tij te klubi napolitan.

Lojtari kuqezi që kur është transferuar në “San Paolo” ka bërë shumë paraqitje të mira në mbrojtje duke i siguruar edhe vendin e titullarit të padiskutueshëm te Napoli.

Për këtë nuk kanë munguar as zërat e merkatos për të ardhmen e tij, me emrin e Hysaj që është lakuar nga klubet më në zë evropiane, përfshirë këtu edhe Bayern Munich.

Gjithsesi është menaxheri i 24-vjeçarit ai që sqaron edhe një herë situatën e tij.

“Mund t’iu them me bindje të plotë se në këto momente, që të dy lojtarët janë të lumtur te Napoli.

Sigurisht që duhet edhe të kuptojmë se si do të jetë fundi i sezonit për Napolin, për të kuptuar më mirë të ardhmen e tyre.

E përsëris, ata ndihem mirë me qytetin dhe me skuadrën, por gjithsesi në futboll, ashtu si edhe në jetë, mund të ndodhë gjithçka.”

Elseid Hysaj u transferua te Napoli në Gusht të vitit 2013, dhe firmosi kontratë 5-vjeçare, me vlerë 5 milionë Euro.

Po tashmë me paraqitjet e tij, ai vlerësohet rreth 70 milionë, edhe pse klauzola e kuqeziut është 50 milionë Euro. /EDS/