Menaxheri i Elseid Hysajt, Mario Xhiufredi, nuk i pranon kritikat që kanë mbërritur në adresën e mbrojtësit të përfaqësueses shqiptare të futbollit pas paraqitjeve të fundit të Napolit. Skuadra është vënë në epiqendër të kritikave pas humbjes me Juventusin dhe eliminimit nga Liga e Kampioneve. Por Xhiufredi mendon se është e kotë që të flitet për krizë në këtë moment dhe të kritikohet kaq shumë skuadra pas vetëm dy ndeshjesh të luajtura nën nivel, gjë që u ndodh të gjithëve në një moment të caktuar të sezonit.

Përveç Hysajt, ai menaxhon edhe Mario Ruin, një tjetër futbollist të napolitanëve, ndërsa tifozët kanë kërkuar që klubi të afrojë lojtarë të tjerë për krahët e prapavijës. Menaxheri ka bërë të qartë se kushdo që do të synojë të bëhet pejsë e këtij klubi, duhet të mendohet mirë, pasi do të ketë një rivalitet shumë të fortë nga të dy.“Prej dy vitesh Sarri, Guintoli dhe klubi po bëjnë një punë shumë të mirë. Por gjithçka vihet në diskutim, gjë që nuk më duket korrekte. Nuk duhet të kryqyëzojmë Sarrin dhe lojtarët, por t’i mbështetim. Në qershor duhet bërë gjykimi i një sezoni. askund nuk sillen kështu si në Napoli.Futbollistët që menaxhoj janë të qetë, e dinë që është një moment i vështirë dhe se me punën që bëjnë do të dalin nga kjo situatë. Merkato? Të dy kanë 5 vite kontratë, janë mirë në Napoli dhe nëse do të vijnë mbrojtës të tjerë krahu, do të duhet të bëjnë hesapet me Hysajn dhe Rui. Të dy janë të lumtur për konkurrencën, pasi vetëm kështu rritet cilësia e grupit të lojtarëve te Napoli”, deklaroi Xhiufredi për mediat italiane. /vipsport.al/