Ka ardhur edhe firma e shumëpritur me një nga lojtarët e ardhur në merkaton e janarit tek skuadra shkodrane. Sikurse njofton faqja zyrtare e Vllaznisë në internet, mbrojtësi Antonio Marku është tashmë edhe zyrtarisht futbollist i ekipit të parë kuqeblu. Mesditën e sotme (të enjten) në zyrat e KF.Vllaznia sh.a. është nënshkruar kontrata përkatëse mes administratorit Fatos Gjyrezi dhe futbollistit Marku. Kontrata parashikon një bashkëpunim për një vit e gjysmë, duke përcaktuar të gjitha modalitetet e nevojshme. Futbollisti Marku iu bashkua Vllaznisë gjatë fazës përgatitore në Ulqin.
Ai ka një karrierë mjaft të mirë, duke u shpallur fillimisht kampion me ekipet U-17 dhe U-19 të akademisë “Vllaznia” në vitet 2009 dhe 2010. Gjatë të njëjtës periudhë, ai ka qenë pjesë e ekipit të parë të kuqebluve. Për arsye të fillimit të studimeve, në sezonin 20010-2011 është aktivizuar me U-19 të Dinamos, por duke qenë pjesë edhe e ekipit të parë të këtij klubi. Në sezonin 2011-2012 ka luajtur si titullar në ekipin e parë të Dinamos. Fazën e parë të Superligës, në sezonin vijues 2012-2013, Marku ka luajtur me Lacin, ndërsa tashmë do të japë shërbimet e tij për Vllazninë në fazën e dytë.
www.shkodrasport.com