Janë pritur ndryshime të mëdha por merkatoja e janarit tek Vllaznia nuk ka dhuruar asnjë suprizë. Ndryshe nga deklaratat e trajnerit Bushati apo dhe e presidentit Çela ditët e fundit për gjetjen e 3-4 futbollistëve cilësorë, nuk ka ndodhur kështu. Skuadra shkodrane ka federuar ditën e djeshme vetëm dy futbollistë dhe për koinçidencë të dy 20 vjeçarë. I pari është produkt I saj, mbrojtësi Antonio Marku ndërsa tjetri është një nigerian, Oshobe Oladele që luan në mesfushë. Ata tashmë janë pjesë e planeve të Bushatit që në fakt priste edhe Sykajn por kjo nuk u bë e mundur për shkak të mosarritjes së akordit me drejtuesit e Kastriotit.

Marku. Mbrojtësi 20 vjeçar që ka dalë nga Akademia Vllaznia por që në dy sezonet e fundit ka luajtur edhe me Dinamon dhe me Laçin, “është kthyer në shtëpi”. Ai ka disa ditë që stërvitet me ekipin por vetëm dje në mesditë ka firmosur zyrtarisht me klubin kuqeblu. Dhe kontrata nuk është e shkurtër por përfshin Brenda edhe sezonin e ardhshëm. Që do të thotë se ka firmosur për një vit e gjysëm me Vllazninë. Firma është hedhur dje në mesditë në kontratën e ofruar dhe të firmosur edhe nga administratori Fatos Gjyrezi. Marku kësisoj do jetë një përforcim I rëndësishëm për prapavijën kuqeblu teksa ai fare mirë mund të luajë si në qendër të mbrojtjes ashtu edhe në krahun e majtë.
Oladele. Nigerini I mbërritur në Shkodër vetëm të mërkurën pasdite ende nuk ka bindur për aftësitë e tij sepse në fund të fundit duhet pak kohë për ta parë. Por meqenëse dje, është mbyllur afati I federimeve, klubi Vllaznia e ka futur në listën e tij të federimit. Që do të thotë se ai është I federuar por për momentin ende nuk ka firmosur kontratë. Do jetë stafi drejtues ai që do ta testojë gjatë këtyre ditëve dhe nëse binden plotësisht për aftësitë e tij, do firmoset kontrata. Të dhënat e para thonë se kemi të bëjmë me një futbollist të kombëtares U-21 të Nigerisë. Megjithatë kjo nuk vlen pasi duhet testuar. E rëndësishme është se probleme federimi nuk ka nëse ai do të qëndrojë tek Vllaznia.
Sykaj. Deri mbrëmë është pritur të arrihet akordi me drejtuesit e Kastriotit për marrjen e këtij futbollisti. Megjithatë ka qenë e pamundur. Krutanët nuk kanë mundur ta lënë të lirë këtë futbollist ngaqë nuk kanë mbrojtës tjetër për ta zëvendësuar. Në kushte të tilla, ka mbetur pa u realizuar edhe shkëmbimi me sulmuesin Hysa për të cilin nuk dihet se çfarë do bëjë në të ardhmen teksa nuk mund të luajë me skuadër tjetër për shkak të problemeve që ka me Vllazninë.
Japonezi. Ai që kemi shkruar ne, japonezi që luante për malazezët e Mlladost dhe që ishte pëlqyer nga drejtuesit e Vllaznisë në miqësoren e zhvilluar ndaj tyre, është tentuar të merret tek Vllaznia. Mbrëjen e së mërkurës madje, mësohet se ai I shoqëruar edhe nga menaxheri I tij ka qenë në Shkodër ku ka biseduar me drejtuesit kuqeblu por nuk ka arritur akordin e duhur financiar. Kjo ngaqë ai sapo kishte firmosur për Mlladostin dhe për ta prishur kontratën me të, duhej që Vllaznia të paguante edhe një dëmshpërblim  financiar, çka nuk është bërë e mundur dhe për rrjedhojë japonezi nuk është veshur dot kuqeblu.
Në këtë mënyrë, merkatoja e kuqebluve mund të konsiderohet e varfër. Për të mos thënë se ata mund të dalin “të humbur” nga ky dimër ngaqë janë larguar Osmani e Hysa dhe kanë ardhur Marku e Oladele. Vlerësimet I bën kushdo megjithatë tashmë duhet parë se çfarë zgjidhje do të ofrojë trajneri Bushati për të motivuar skuadrën dhe për të bërë më të mirën me kontigjentin që ka në dispozicion.
Gjergj KOLA