Presidenti I ri I klubit shkodran ka nxituar të japë të parën deklaratë të tij pas zgjedhjes në këtë post. Pasditen e djeshme, vetëm pak orë pas zyrtarizimit në postin e presidentit, ai ka organizuar një konferencë shtypi për të dhënë disa nga prioritetet e punës së tij me skuadrën. Nga zyra e tij në ambjentet e Grand Hotel “Europa”, Agron Çela ka lëshuar sinjalet e një kthese të madhe.
“Rikthehem pas 6 vitesh tek Vllaznia por në fakt kam qenë gjithnjë pranë saj, edhe në atë periudhë kur nuk kam patur ndonjë post drejtues. Kam qenë president 10 vjet më parë kur klubi ishte në një gjendje shumë të keqe dhe bëmë më të mirën për ta ringritur Vllazninë dhe mendoj se ia dolëm mbanë. Këtë gjë do bëjmë edhe tani , në bashkëpunim të ngushtë edhe me Bashkinë, për ta çuar emrin e kësaj skuadre në ato nivele që I takon. Mendoj se jam njeriu I ditëve të vështira për Vllazninë”-ka thënë në fillim të prononcimit të tij presidenti Çela. Më pas, ka shpjeguar se do të ketë një bashkërendim të mirë të punëve me stafin aktual për të bërë më të mirën me skuadrën. I pyetur nëse do ketë ndonjë blerje surprizë në këtë fund-merkatoje, edhe për të bërë më të këndshëm emërimin e tij, presidenti I ri është shprehur: “Blerja më e mirë është ajo që ka bërë Bashkia me Agron Çelën”. Gjërat janë të qarta. Ai ka ardhur për të bërë më të mirën me këtë skuadër dhe e premton këtë gjë: “Nuk kemi kohë për të folur gjatë. Duhet të nisim menjëherë nga puna për t’I vënë gjërat në vijë. Madje, edhe nga bashkëbisedimi që kam patur me trajnerin Artan Bushati, kemi rënë dakord që përveç punës për skuadrën aktuale, duhet të fillojmë të mendojmë për skuadrën e sezonit të ardhshëm”. Për presidentin e ri, ndryshimi I gjërave tek skuadra, ka nevojë edhe për mbështetjen e tifozëve. Madje, ai mendon të aplikojë një mënyrë shumë interesante dhe tepër origjinale për afrimin e tyre sërish pranë saj. “Largimi I tifozëve nga Vllaznia më dhemb jo pak. Edhe në periudhën e parë që kam qenë president, kam patur shumë raporte të mira me ta. Për t’I ofruar sërish, po ju them se skuadra stërvitjet dhe ndeshjet e kontrollit nuk do t’I zhvillojë vetëm në fushën e saj të stërvitjes. Ajo do shkojë për t’u stërvitur dhe për të luajtur në çdo fshat apo lagje që ka fushë sportive, në mënyrë që të ngjallim sërish interesin tek tifozët, në mënyrë që ata ta ndjejnë këtë skuadër dhe të vijnë në stadium për ta mbështetur atë”-ka vazhduar më tej presidenti I kuqebluve. Çela dje ka marrë zyrtarisht detyrën e presidentit por në fakt ka disa ditë që është pranë saj. Bashkë me trajnerin Bushati, ka filluar të mendojë për ndeshjen e parë të fazës së dytë, atë me Skënderbeun, me të cilin dëshiron shumë një start të mbarë prandaj në fund do thoshte: “Sigurisht që në mendjen tonë ka filluar të jetë ballafaqimi me Skënderbeun. Një ndeshje shumë e rëndësishme dhe shpresojmë ta fillojmë mbarë projektin tonë me një rezultat pozitiv”.
Gjergj KOLA