Kohëzgjatja e akt-marëveshjes së shoqërisë së thjeshtë të krijuar nga Bashkia Shkodër dhe biznesmeni Agron Çela është nga dita e djeshme dhe deri më 30.7.2015. Pra për dy vjet e gjysëm. Në të, janë parashikuar edhe momentet kur “shoqëria” shpërndahet dhe pikërisht me mbarimin e afatit të saj, me marëveshjen e dy palëve.
Por ndërkohë, kjo shoqërohet shpërndahet para afatit kur nuk përmbushen detyrimet e përcaktuara në nenet e kontratës, nëse ekipi I parë bie nga kategoria dhe nëse në kampionatin e sezonit 2013-14, Vllaznia nuk realizon objektivin minimal, pjesmarrjen në Kupat e Europës. Në këtë dyfaqësh të akt-marëveshjes shprehet qartësisht detyrimi I të dyja palëve teksa në të shkruhet: “…Detyrimet ndaj të tretëve gjatë periudhës së kësaj shoqërie apo që mbesin pas shpërndarjes së saj do të përballohen bashkarisht në raportet 40 % nga anëtari “KF Vllaznia sh.a” dhe 60 % nga anëtari Agron Çela. Administratorët kanë të drejtë të bashkënënshkruajnë në emër edhe të llogarisë së kësaj shoqërie të gjitha aktet dhe veprimet juridike të saj. Vetëm aktet dhe veprimet juridike të nënshkruara bashkarisht nga administratorët, janë të vlefshme dhe detyruese për këtë shoqëri”.
Kontributet. Në bazë të akt- marëveshjes së miratuar dje, në vitin e parë, pra më 2013, Klubi Vllaznia përmes Bashkisë Shkodër do kontribuojë me 40 % të shumës së shpenzimeve ose 200 milione lëkë të vjetra, ndërsa anëtari Agron Çela me 60 % ose 300 milionë lekë. Në vitin pasardhës, kjo shumë nuk mund të jetë më e vogël në shifra sesa vitin e parë. Por ajo që të bën përshtypje është se një nga pikat e akt-marëveshjes flet për fitimin e mundshëm. “Fitimi që do të realizojë shoqëria, do të ndahet në fund të vitit financiar midis anëtarëve në raport, 100 % të anëtarit “KF Vllaznia sh.a” dhe 0 % të anëtarit Agron Çela. Po ashtu, kontributet e anëtarit Agron Çela ose çdo kontribut tjetër I siguruar gjatë kohëzgjatjes së kësaj kontrate, nuk përbën të drejtë pretendimi për pronësi mbi aksionet e KF Vllaznia sh.a”. kësisoj gjërat janë mëse të qarta. Kontributi financiar I presidentit të ri të Vllaznisë do jetë vetëm si donacion. Edhe në rast se klubi del me fitim, ai nuk do përfitojë asgjë.
Administrimi. Në dy faqet e akt-marëveshjes ka edhe një pikë të kontratës ku thuhet ku flitet për të drejtën e administrimit të klubit tani e tutje do të realizohet nga të dy palët nëpërmjet përfaqësuesve të tyre dhe konkretisht nga: 1.President I ekipit të futbollit Vllaznia dhe administrator z. Agron Çela dhe 2. Administrator z. Fatos Gjyrezi. Që do të thotë se tani e tutje vendimet duhen marrë në mënyrë kolegjiale në mes tyre. Megjithatë e rëndësishme është që Vllaznia tashmë e ka presidentin e saj. Çela rikthehet në krye të këtij klubi pas 6 vitesh e gjysëm me premtimin për të bërë gjëra edhe më të mira.
Gjergj KOLA