Tek Vllaznia kanë nevojë për sulmues por ende nuk ka asgjë të sigurtë nëse do blihet ndonjë në janar apo jo. Ajo që e pengon këtë gjë mesa duket është mungesa e financave. Klubi shkodran nuk ka planifikuar asnjë lekë për të blerë në janar nisur nga ajo që në merkaton e verës u shpenzuan më shumë nga sa ishte planifikuar teksa në vend të 8 lojtarëve që kishte kërkuar trajneri Duro, u morën 12. Pavarësisht kësaj skuadre sidomos në manovrën sulmues po vuan shumë. Mungojnë golat e sulmuesve dhe gjetja e një lojtari- gol duket mëse e domosdoshme për në janar. Trajneri madje ka shkuar edhe më tej teksa ka kërkuar 2-3 përforcime por kjo e vështirë të ndodhë. Për Duron “ka dhimbje koke” vazhdimisht gjatë kësaj periudhe. Krijohen raste por nuk konkretizohen. Kështu ka ndodhur edhe në Peqin të mërkurën për kupë. Në vend që të shënonte Vllaznia të paktën 3-4 gola të sigurtë, shënon Shkumbini në të parën zbritje të rrezikshme. Rastet e Hajdarit dy herë, të Shtubinës dhe sidomos I Hysës në fundin e ndeshjes kur I vetëm me portierin nuk ka shënuar, sigurisht që I kanë irritur pjestarët e stafit drejtues. Ky I fundit u duk sikur do çlirohej pas golit të shënuar në Berat por mesa shihet, do ketë sërish probleme. E njëjta gjë edhe për sulmuesin tjetër Rexha I cili ka probleme me mosshënimin e golave deri tani. Konkluzioni është I qartë: në 10 ndeshje (7 kampionat dhe 3 kupë), dy sulmuesit kryesorë të Vllaznisë kanë shënuar vetëm një gol. Shumë pak natyrisht dhe për këtë arsye, po kërkohet një sulmues tjetër.
-Fondet në dispozion. Sipas asaj që është miratuar në Këshillin Bashkiak Shkodër në fundin e muajit korrik, në projek- buxhetin e sezonit të ri I cili përfshinte një shumë totale prej 970 milionë lekësh, nuk ka patur asgjë të përfshirë si zë për merkaton e janarit. Përveç kësaj, në kushtet kur Bashkia Shkodër ka reduktuar fondet për shumësportëshin gjatë kësaj periudhe, sigurisht që nuk mund të presësh ndonjë “hapje thesi” në janar. Këtë e ka bërë të ditur edhe një nga anëtarët e Këshillit Bashkiak Shkodër, Nikë Kodra që do të shprehej: “Nga sa kam informacion unë, për merkaton e janarit nuk është vënë asnjë fond shtesë nga ana e Bashkisë. E vetmja rrugë për të marrë ndonjë lojtar në janar, është të largohet ndonjë nga këto që kanë ardhur në verë dhe që  po rezultojnë jo efikas. Nëse atyre u bëhet vend në ndonjë ekip tjetër, me paratë e kontratave të tyre mund të tentohet pastaj marrja e ndonjë futbollisti tjetër”. Në fakt, edhe në rradhët e drejtuesve të klubit ka qarkulluar kohët e fundit një ide e tillë. Që duke kursyer nga largimi I 2-3 futbollistëve, mund të merret një sulmues cilësor në merkaton  e janarit.
Kërkesa për trajnerin. Megjithatë, pavarësisht dyshimeve nëse ka apo jo fonde në dispozicion për merkaton e janarit, drejtues të klubit Vllaznia, pikërisht kryetari I Këshillit Mbikëqyrës të shoqërisë aksionere Ritvan Troshani, I ka kërkuar trajnerit Shpëtim Duro të analizojë çdo lojtar për paraqitjen e deritanishme dhe njëkohësisht propozime konkrete për përforcimet e mundshme në merkaton që do hapet pas pak më tepër se dy muajsh. Një kërkesë e tillë do të thotë se mund të ketë mundësi për të bërë një lëvizje por gjërat me shumë gjasa do vendosen nga mënyra si do shkojë ecuria e skuadrës deri në fund të dhjetorit. Nëse ajo është në vendet e para të renditjes, sigurisht që mund të bëhet edhe ndonjë sforco e fundit financiare, në rast të kundërt duhet harruar marrja e ndonjë lojtari tjetër.
Gjergj KOLA