Problemet financiare që janë shfaqur tek ekipi I Vllaznisë në atletikë e që u bë present me shqetësimin e tre kampionëve në numrin e djeshëm të gazetës, nuk është vetëm për këtë ekip. Të njëjtin shqetësim kanë të gjithë sportet. Rralla për të folur këtë herë ka qenë për një pjestar të ekipit të volejbollit të meshkujve. Ka qenë pikërisht kapiteni I këtij ekipi, Mirjan Rrahishta, që është njëkohësisht edhe trajner I ekipit të të rinjve, që ka ngritur jo vetëm shqetësimin e reduktimit të fondeve, por edhe të perspektivës së këtyre sporteve për të ardhmen. Duke folur për gazetën në lidhje me këtë çështje ai ka thënë: “S’po marrim vesh çfarë po ndodh. Na është thënë vetëm që do ketë një shkurtim prej 40 për qind të pagesave që marrim në formën e trajtimit ushqimor.


Ekipi I volejbollit të meshkujve të Vllaznisë do marrë për këto tre muajt që kanë mbetur deri në fund të këtij viti, nga 670 mijë lekë të vjetra në muaj.  Madje, po ashtu na është thënë se në dhjetor nuk do ketë fare trajtim ushqimor!!! Nuk po dimë as në derën e kujt të trokasim sepse në fakt troket kot. Sportet e lojërave më dorë, volejbolli dhe basketbolli, mesa po shoh, po shkojnë drejt shkrirjes sepse s’e ka vënë kush ujin në zjarr të mendojë për to, të sponsorizojë për t’I dhënë një hov por mesa duket në Shkodër shumë shpejt ka për të mbetë vetëm futbolli se sportet e tjera do shkrihen”. Ajo çfarë nuk kuptojnë në rradhët e këtyre sportistëve të tjerë, është se pse për ato ka reduktim fondesh ndonëse ato janë minimale dhe për futbollin jo, një tjetër sport që paguhet nga Bashkia Shkodër. Prandaj Rrahishta shton:  “Do isha kurioz të shihja një futbollist se si do luante nëse do paguhej 60 mijë lekë të vjetra në muaj, aq sa paguhet një volejbollist. Kjo është diferenca e madhe e sporteve në Shkodër. Një volejbollist merr 60 mijë lekë të vjetra në muaj, ndërsa një futbollist 60 mijë e ndoshta edhe shumë më tepër, në ditë!!! Megjithëse me këto pagesa, ne hyjmë në kampionat për të rivalizuar me skuadra të tilla si Teuta e Studenti që kanë sponsor të fuqishëm dhe ia arrijmë t’I rivalizojmë sepse jemi shkodranë dhe shkodrani duhet të përfaqësojë veten denjësisht në çdo moment, pavarësisht mundësive”. Nisja që Vllaznia I ka bërë kampionatit aktual, nuk ka qenë ashtu siç duhet nisur nga humbja në Shkodër me Tiranën. Kapiteni Rrahishta mendon se janë disa gjëra që duhen rregulluar por ai ka garantuar një tjetër sezon si pretendent për këtë ekip teksa në fund ka thënë:  “Humbja me Tiranën na ka demoralizuar disi, madje edhe në ndeshjen  e fundit me Skënderbeun nuk kemi bërë më të mirën në fushë. Po tregojmë luhatje në momentet kur kundërshtari na kalon 2-3 pikë përpara dhe vonojnë ta marrim veten por gjithsesi ne do jemi aty mes pretendenteve. Ne e kemi ndarë mendjen në fillim të kampionatit, me apo pa lekë, do ta çojmë atë deri në fund dhe do të rivalizojmë si të barabartë me kundërshtarët tanë”.
Gjergj KOLA