Pas një viti e gjysëm tek Liria e Prizrenit, rruga e tij me këtë skuadër është ndarë ditët e fundit. E kemi fjalën për mesfushorin shkodran Klaudio Leka. Gazeta “Shkodra Sport” mëson se 23 vjeçari nuk do të jetë më pjesë e kësaj skuadre.
Ende nuk është e qartë se cila ka qenë arsyeja e largimit, por gjëja kryesore mesa duket ka të bëjë ka të bëjë me situatën e vështirë që po kalon skuadra prizrenase e cila ndodhet në vendin e fundit të tabelës së renditjes në Superligën e Kosovës.
Në fillim të sezonit, Leka nuk u preferua shumë nga ana e ish- trajnerit të mëparshëm, por me kalimin e javëve ai u aktivizua më shumë, madje në dy ndeshjet e fundit të vitit të kaluar, ato ndaj Malishevës dhe Llapit ka qenë në fushë si titullar për 90 minuta. Në total ka luajtur në 7 ndeshje dhe është aktivizuar për 247 minuta.
Por këto nuk kanë mjaftuar dhe mesfushori shkodran tashmë e ka marrë vendimin dhe nuk do të jetë më pjesë e Lirisë së Prizrenit, por po tenton të gjejë një ekip tjetër ku të ketë më shumë hapësira aktivizimi.
Klaudio Leka ka luajtur për tre sezone në rradhët e Vllaznia U21, ku madje ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit dhe më pas në sezonin 2022-23 kaloi tek Liria e Prizrenit duke kontribuar në ngjitjen e kësaj skuadre në Superligën e Kosovës dhe luajti me këtë skuadër edhe në gjysmën e parë të sezonit aktual. Ndërsa tani është vënë në kërkim të një ekipi tjetër dhe me siguri shumë shpejt do të mësojmë emrin e ti./SHKODRA-SPORT.COM/