Lionel Messi tashmë edhe zyrtarisht është shpallur “Lojtari më i mirë” për vitin 2023 nga FIFA në një ceremoni që u mbajt sot (e hënë) në Londër.

Në garë për të fituar këtë çmim ishin edhe Erling Haaland dhe Kylian Mbappe të cilët po ashtu kanë pasur një sezon të mrekullueshëm, e sidomos ky i pari i cili fitoi tripletën me Manchester Cityn.

Për të fituar këtë çmim si kriter FIFA i mori performancat nga data 19 dhjetor 2022 deri më datën 20 gusht 2023.Fituesi i Kupës së Botës fitoi titullin e ligës me PSG-në para se t’i bashkohej ekipit amerikan, Inter Miami ku edhe aty arriti që të fitojë një trofe.

Sidoqoftë, ajo që mori vëmendjen ishte fakti që Messi dhe Haaland e përfunduan garën me pikë të barabarta, pra me nga 48 pikë secili.Tani shtrohet pyetja se mbi çfarë kriteri vendosi FIFA që këtë çmim t’ia dorëzojë Messit?

Neni 12 në rregulloren e FIFA-s shpjegon qartë se si duhet të veprohet kur dy lojtarë e përfundojnë garën me pikë të barabarta.

“Në rast të një barazimi, lojtari, trajneri, ose portieri me numrin më të lartë të votave “pesë-pikësh” nga votat e grupit të tyre të votuesve, sipas nenit 10 (p.sh. për lojtarët meshkuj, votat e kapitenëve të ekipeve kombëtare të meshkujve; për trajnerët meshkuj, votat e trajnereve të ekipeve kombëtare të meshkujve; për portierët meshkuj, votat e kapitenëve të ekipeve kombëtare të meshkujve; për lojtaret femra, votat e kapitenëve të ekipeve kombëtare të femrave; për trajnerët femra, votat e trajnereve të ekipeve kombëtare të femrave; dhe për portierët femra, votat e kapitenëve të ekipeve kombëtare të femrave), do të jetë fitues i çmimit prestigjioz”, thuhet në rregulloren e FIFA-s./Telegrafi/