Mbërriti në janar tek Vllaznia dhe në çdo moment që atëherë e deri në fund të sezonit, u mundua të japë më të mirën e tij duke fituar edhe zemrat e tifozëve shkodranë.

E kemi fjalën për mbrojtësin shqiptaro- maqedonas Mevlan Adili i cili është shndërruar në një pikë referimi për kuqeblutë me lojën e tij të mirë në mbrojtje. Ndonëse periudha e pandemisë ndikoi për keq në formën e tij ashtu si dhe tek të gjithë futbollistët e tjerë, Adili ia doli të rikthehet në nivelin e duhur dhe të japë kontributin e tij për qëndrimin e Vllaznisë sërish në Superligë.

Vetë ai përmes një postimi në rrjetet sociale duket i kënaqur me këtë gjë dhe shkruan: “Misioni i perfunduar”. Në fakt, të gjithë në kampin shkodran janë të kënaqur që ky sezon përfundoi në mënyrën e duhur dhe me shpresën që sezoni tjetër do të jetë krejt ndryshe për ta.

Vetë Adili edhe më parë është shprehur se do të vijojë të jetë pjesë e Vllaznisë sepse ka kontratë me të deri në fundin e këtij viti dhe me siguri që drejtuesit kuqeblu do të tentojnë t’ia zgjasin atë, të paktën deri në fundin e sezonit.
www.shkodrasport.com