Korabi synon ngjitjen në Superiore. Këtë plan e deklaron administratori Fehmi Mëziu në një intervistë për “Panorama Sport”. Ai bën “skanerin” e sezonit, flet për të ardhmen e trajnerit Canaj, por tregon ofertat për Skukën si dhe planin e klubit për të.

Ju ka mbetur ndonjë gjë peng nga ky sezon?

Ka qenë një sezon i bukur dhe nëse do të ishim treguar pak më të kujdesshëm, mund të kishte qenë viti ynë. Ekipi që do të ngjitej u vendos dy javët e fundit dhe kjo tregon se të gjitha kanë bërë mirë. Ne duhet të ishim më të kujdesshëm te projekti, infrastruktura me të cilën patëm ngërç e deri te menaxhimi i lojtarëve, sepse largimet e janarit na kushtuan shumë.


A do të jetë Canaj trajneri i Korabit edhe për sezonin e ardhshëm?

Trajneri ishte një “blerje” me peshë që bëmë. Aktualisht të dyja palët jemi të kënaqura si dhe gati për të vazhduar bashkëpunimin.

Çfarë objektivi do të keni për sezonin e ardhshëm?

Në fund të qershorit do të nisin përgatitjet për sezonin e ri. Sa i takon projektit, ka nisur dhe do t’i jepet dora e fundit përpara se të nisin rinovimet dhe prurjet e reja. Dibranët luajnë të gjashtin sezon në Kategorinë e Parë dhe objektiv kryesor kanë ngjitjen në Superiore. Kemi krijuar një bosht i cili me pak përforcime kthehet në pretendent.


Çfarë do të ndodhë me Skukën, i cili vazhdon të jetë i shumëkërkuar?

Xhuljano Skuka ka mbyllur sezonin e katërt me Korabin dhe i mbetet të luajë edhe 1 tjetër. Kemi kërkesa më serioze për të dhe jemi në shqyrtim të opsionit më të mirë, për klubin dhe lojtarin. Kemi një mundësi për ta transferuar jashtë Shqipërisë, duke parë që kombësia franceze e favorizon. Në Superiore janë mbi 4 skuadra. Korabi do të jetë në zotërim të 1% të lojtarit në çdo skenar të mundshëm.


Infrastruktura ka mangësi. A do të ndërhyhet para sezonit të ri?

Një ndër gabimet e sezonit të kaluar, që na është kthyer në mësim është infrastruktura. Prej shtatë vitesh ne stërvitemi në Tiranë. Kemi një planprojekt që presim ta vëmë në zbatim për ta kthyer stadiumin në një arenë moderne dhe komode, nisur nga faksi se Peshkopia do të jetë 1 orë e 30 minuta larg Tiranës me Rrugën e Arbrit në përfundim.