Drejtori sportive i Vllaznisë, Auron Miloti , i pranishëm në studion e emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH, ka folur për fitoren më të fundit të kuqebluve, 2-1 në shtëpinë e Partizanit. Por nuk ka munguar një koment dhe për blerjen më të fundit, sulmuesin Bekim Balaj, duke e cilësuar si një bekim për skuadrën.

“Kishim pesë mungesa, por ekipi tregoi karakterin e tij, dha maksimumin, siç bën gjithmonë në Tiranë. Bëmë një lojë të mirë, lojtarët ishin të motivuar, e shikoja edhe para ndeshjes. Ishte një pjesë e parë e mirë dhe një pjesë e dytë akoma më e mirë. Ky është karakteri i lojtarëve dhe skuadrës, japin 100% deri në momentin e fundit”.

“Kemi probleme me ekipet të etiketuara si të vogla, por ekipi jep gjithmonë maksimumin. Dua të theksoj se kemi një stol shumë të fortë, mendoj se është një plus për ne”.

“Balaj? Vendosi me zemër, ishte në bisedime dhe me skuadrat e kryeqytetit, por dhe nga jashtë. Bekimi është një bekim për Vllazninë dhe për Shkodrën. Karakteri i Balajt bashkohet me karakterin e Vllaznisë. Me mbërritjen e Balajt nuk mendoj se do të ketë ndonjë blerje tjetër”.