Mbrëmjen e sotme, do të zhvillohet ndeshja miqësore mes Shqipërisë dhe Italisë. Sa i takon formacioneve të mundshme të të dyja Kombëtareve, Shqipëria pritet të luajë me skemën e zakonshme 3-5-2, ndërsa Italia me një 4-4-2.
Kombëtarja e Shqipërisë, përmes modulit 3-5-2, do të mundohet të nxjerrë një rezultat pozitiv në përballjen miqësore të sotshme ndaj “axurrëve”. Kuqezinjtë do të vuajnë mungesat e Berat Gjimshitit, Ivan Balliut dhe Klaus Gjasulës për shkaqe dëmtimesh.
Kështu, në 11-shen e trajnerit Edoardo Reja mund të kemi ndryshime, por mbetet për t’u parë deri në fund se cili do të jetë formacioni që tekniku italian do të hedhë në fushën e lojës, pasi edhe ai ka akoma dy dilema.
Në portë ndaj Italisë me shumë gjasa do të jetë njëri mes Kastratit dhe Berishës, me të parin më favorit, ndërsa qendra e mbrojtjes do të jetë e mbuluar me treshen Ismajli, Mihaj dhe Kumbulla, me këtë të fundit që rikthehet të luajë për Kombëtaren, të cilit shoqëri kësaj rradhe, përveç Ismajlit, do t’i bëjë edhe Enea Mihaj, të cilin deri më tani jemi mësuar ta shohim si zëvendësues në fushën e lojës. Megjithatë, duke pasur parasysh mungesën e Gjimshitit, Reja pozicionin e qendërmbrojtësit do t’ia besojë futbollistit të Famalicao.
Mesfusha ka vetëm një dilemë, nëse do jetë Bajrami apo Abrashi nga minuta e parë, por i pari mbetet më favorit. Ky repart do të jetë më i ngjeshur se zakonisht me Hysaj dhe Lenjani në krahë, ndërsa treshja Bare, Bajrami dhe Asllani do të vendoset në qendër, me fantazistin e Empolit që do të jetë më i avancuar në ndihmë të dyshes sulmuese, e cila do të jetë Broja-Uzuni. Ndoshta, në pjesën e dytë mund të ketë minuta edhe për kapitenin e Vllaznisë, Erdenis Gurishta, por gjithsesi mbetet për t’u parë.
Ndeshja Shqipëri-Itali do të luhet mbrëmjen e sotme në stadiumin “Arena Kombëtare”, duke nisur nga ora 20:45 dhe do të transmetohet live në kanalet e platformës “SuperSport”. Ndërkohë, gjyqtar i ndeshjes pritet të jetë kosovari nga Prishtina, Genc Nuza. /Maringlen ZHIVANI/
Formacioni i Shqipërisë (3-4-1-2): Kastrati (Berisha), Ismajli, Mihaj, Kumbulla, Hysaj, Bare, Asllani, Lenjani, Bajrami (Abrashi), Broja, Uzuni Tr: Edoardo Reja