Thomas Brdariç është zyrtarisht trajneri i ri i Vllaznisë. Gjermano- kroati ka mbërritur tashmë në Shkodër ku dhe ka firmosur kontratën me presidentin Xhaferi dhe më pas ka shpejtuar drejt stadiumit “Loro Boriçi” për të nisur punën.

Fillimisht është takuar me drejtorin sportiv Tefik Osmani, por edhe pjestarët e stafit teknik Ndriçim Shtubina, Ergi Borshi, Ideal Lekiqi e Fation Kadija dhe më pas i është drejtuar zyrës së tij për të nisur punën.

Ndërkohë në orën 16.45 është njoftuar se do të ketë një prononcim të shkurtër të tij për mediat përpara fillimit të stërvitjes. Nga sa merret vesh, kontrata e Brdariç me Vllazninë është deri në fund të këtij sezoni, me të drejtë zgjatje edhe për sezonin e ardhshëm.

Thomas Brdariç rikthehet për herë të dytë në Shkodër teksa herën e parë arriti që të fitonte kupën e Shqipërisë. Tani në lojë është titulli kampion dhe mbetet për t’u parë nëse do ia dalë ta marrë atë sërish me Vllazninë./shkodrasport.com/