Luftëtari mundi Skënderbeun me rezultatin 3-1, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit për në Ligën e Europës.

Një ndër futbollistët që shënuan gol ndaj korçarëve, ishte shkodrani Behar Ramadani.

Në një prononcim për “Supersport”, Ramadani ka folur në lidhje me objektivat e Luftëtarit dhe për të ardhmen e tij, ndërkohë që për Vllazninë, tregon se i vjen keq dhe se e gjithë kjo situatë vjen nga keqmenaxhimi.

Ai tregon se futbollistët shkodranë respektohen më shumë nëpër rrethe sesa në Shkodër.

“Ndeshja? Ishte gol i rëndësishëm për mënyrën si erdhi loja, por ishte meritë e skuadrës dhe e Bregut që fitoi penalltinë.

Për Vllazninë besoj se ka shpresa të mira. Çfarë të them më tepër për Vllazninë time, i uroj vetëm suksese dhe të shohim në javën e fundit.

Vllaznia nuk është vetëm në këto dy vite e rrezikuar, u bën disa vite që ndodhet në ujëra të tilla. Nuk është se ne lojtarët shkodranë bëjmë namin nëpër rrethe, por kur luajmë jashtë qytetit tonë na respektojnë më shumë, na duan më shumë dhe kemi pasur rezultate.

Vllaznia është një burim që nuk shteron kurrë, mendoj që duhet të jetë keqmenaxhim.

E ardhmja? Dua të përfaqësoj Luftëtarin në Europë në radhë të parë, më pas të shohim nëse do të vijë ndonjë ofertë konkrete. Do t’ia lë në dorë drejtuesve të klubit”, u shpreh Ramadani. /Vipsport/