Evangjelia Veli, pak ditë më parë ngriti lart flamurin shqiptar teksa u rendit në vendin e tretë në Kampionatin Europian të Peshëngritjes që po zhvillohet në Rusi.

Shqiptarja e rritur në Greqi ka treguar se gjithë familja e saj ia ka dedikuar jetën sportit, ndërsa thekson se vëllai i saj do përfaqësojë Brazilin dhe së bashku do takohen në Botëror.

“Kam që 11 vjeç që stërvitem me babin në Shqipëri, kështu që të katër fëmijët filluam me një shtangë të thjeshtë në shtëpi. Më pas u regjistruam në Greqi në peshëngritje.

Medalja? Ka qenë garë shumë e fortë dhe kategoria do të jetë nga më të fortat e këtij Europiani. Unë stërvitem jashtë Shqipërie se jam në një universitet dhe nuk kam mundësi. E kam filluar stërvitjen shumë vonë, tre javë para Europianit në palestër. Po të isha stërvitur siç duhet do të kisha fituar edhe vendin e parë.

Zgjodha Shqipërinë se është vendi im dhe vëllai dhe motra ime kanë përfaqësiuar atë. Vëllai konkuron për Brazilin, ka bërë garë për Shqipërinë, po tani konkuron për Brazilin se jeton atje me familjen. Sidoqoftë do takohemi në Botëror, do bëjmë historinë njëri për Shqipërinë, njëri për Brazilin”, tha Veli për Abc e Mëngjesit.