Chelsea siguroi finalen e Europa League pas fitores me penallti ndaj Eintracht Frankfurt dhe një nga protagonistët që nuk zhgënjeu nga pika e bardhë është Jorginho. Mesfushori që luan me kombëtaren italiane e vlerëson si të rëndësishëm këtë rezultat, në sezonin e tij të parë në Premier League.

“Ne si objektiv kryesor kishim një vend në Champions League sezonin tjetër dhe ia dolëm mbanë. Duam të ruajmë vendin e tretë në Premier dhe më pas të mendojmë për finalen e Europa League. Synojmë të sjellim një trofe te tifozët tanë, që është i rëndësishëm për të gjithë”, tha Jorginho.

Duke folur për debutimin e tij në Premier League dhe marrëdhënien me trajnerin Maurizio Sarri, fantazisti tha: “Ky është kampionati më kompetitiv në botë dhe fakti që 4 ekipe angleze janë në finale e konfirmon këtë gjë. Është një privilegj që Chelsea është mes këtyre 4 skuadrave.

Sarri? Është një mjeshtër, një mësues. Gjatë një sezoni ka luhatje, por e rëndësishme është të jesh i qetë dhe kush punon vlerësohet me rezultate në fushë. Kush kritikon Sarri nuk kupton asgjë nga futbolli”./vipsport/