Një javë për kornizë! Gjyqtarët kanë qenë në lartësinë e duhur në pesë ndeshjet e zhvilluara të hënën dhe të martën, të vlefshme për javën e 20- të të Kategorisë Superiore. Si kurrë më parë, as trajnerët apo lojtarët e klubeve, në prononcimet e tyre pas ndeshjeve, nuk kanë kontestuar gjykimin.

Në tërësi vendimet kanë qenë të drejta, madje pa pasur nevojën e sistemit VAR. Arbitrat kryesorë si Olsion Yzeriraj, Andi Koçi, Laver Alla, Enea Jorgji dhe Juxhin Xhaja, kanë qenë OK me atë që kanë sinjalizuar nga fusha dhe nuk ka pasur ndonjë rast ku VAR-i ka kthyer vendimet. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha momentet e diskutueshme, ku ka pasur më së shumti pretendime për penallti.

EGNATIA-TIRANA 1-2
Gjyqtarë: O.Yzeiraj (Patos), O.Grabova (Fier), M.Qose (Lushnjë); VAR: A.Beqiraj (Tiranë) – AVAR: E.Rusta (Elbasan);
Në Rrogozhinë gjykoi Olsion Yzeiraj, ndërsa në VAR ishin Ardian Beqiraj dhe Emanuela Rusta. Kanë qenë dy raste për penallti, ku njëra vendosi ndeshjen dhe tjetra nuk u akordua nga gjyqtari. Në të dyja rastet vendimi i kryesorit nga Patosi ka qenë i drejtë.
64’ Penallti për Tiranën. Mbrojtësi Zhozelin Behiratçe kthen një top me kokë, që përplaset në dorën e Kacbufit, i cili një aksion më parë kishte hequr sferën nga vija fatale, duke i mohuar gol Tiranës. Vendim i drejtë i gjyqtarit të ndeshjes, pasi dora ishte e hapur.
75’ Pretendohet për penallti pas një pengimi të Hilës në zonë nga Fangaj. Pamjet filmike i japin të drejtë Yzeirajt, që vijon lojën.

PARTIZANI-LAÇI 1-2
Gjyqtarë: A.Koçi, R.Mersinasi (Durrës), D.Kasa (Kavajë); VAR: F.Lata – AVAR: K.Shahini (Durrës);
Në stadiumin e ri të Partizanit gjykoi Andi Koçi, ndërsa në VAR ishin Florian Lata dhe Klodian Shahini.
72’ I vetmi moment është në këtë minutë, ku pas një harkimi në zonë, Murataj devijon me kokë dhe më pas topi prek Velkoskin në pjesën e shpatullës. Të kuqtë kërkojnë penallti për prekje me dorë, por gjyqtari sinjalizon vazhdimin e lojës dhe më pas nuk sinjalizohet as nga VAR-i. Pamjet tregojnë se Koçi ka vepruar drejt, pasi nuk kemi të bëjmë me prekje me dorë. Distanca është shumë e shkurtër dhe dora e Velkoskit është në pozicion natyral.

VLLAZNIA-KUKËSI 2-0
Gjyqtarë: L.Alla (Lushnjë), R.Avdo (Tiranë), I.Tartaraj (Fier); VAR: O.Ferataj (Patos) – AVAR: K.Prenga (Laç);
Dy momente të dyshimta kishte për gjyqtarin Laver Alla në sfidën Vllaznia-Kukësi, aty ku në VAR ishin Olsid Ferataj dhe Klodian Prenga.
29’ Delimedjak shërben për Xhonson, por ky i fundit rrëzohet në zonë dhe pretendon për 11-metërsh pas duelit me Shehin. Gjyqtari bën shenjë që loja të vazhdojë, duke marrë një vendim të drejtë.
82’ Mala rrëzohet në zonë pas një kontakti me Bytyçin. Gjyqtari bën shenjë që loja të vazhdojë dhe VAR-i konfirmon vendimin e tij. Nuk kemi të bëjmë me penallti, teksa arbitri merr një vendim të drejtë.

KASTRIOTI-ERZENI 2-2
Gjyqtarë: E.Jorgji (Elbasan), R.Çokaj (Lezhë), A.Mahmuti (Elbasan); VAR: K.Meta (Tiranë) – AVAR: S.Dyrmishi (Elbasan);
Ndeshjen e luajtur në stadiumin e Kamzës mes Kastriotit dhe Erzenit e gjykoi ndërkombëtari Enea Jorgji, ndërsa në sistemin VAR ishin Kridens Meta dhe Silvio Dyrmishi. Loja pati vetëm një rast të diskutueshëm.
55’ Pretendime për prekje me dorë të topit pas një dueli në zonë mes mesfushorit të Kastriotit, Xhuljo Mehmeti dhe atij të Erzenit, Amir Kahrimanoviç. Ky i fundit, pasi e devijon fillimisht topin me kokë, më pas e prek edhe me dorë. Kastrioti kërkon penallti, por Jorgji vijon lojën dhe interpreton si prekje të pavullnetshme të lojtarit shijakas.

TEUTA-BYLISI 1-0
Gjyqtarë: J.Xhaja, D.Rexha, N.Bregasi (Tiranë) – VAR: E.Hamiti (Lezhë) – AVAR: I.Myrtja (Shkodër);
Gjykim perfekt i Juxhin Xhajës në Durrës, aty ku në VAR ishin Eldorian Hamiti dhe Indrit Myrtja. Rasti i vetëm për moviolë u zgjidh mirë.
7’ Lorenco Vila kërkon një penallti pas duelit në zonë me Felipe Sozën, por nuk është i këtij mendimi arbitri Juxhin Xhaja, që vijon lojën. Nuk kemi të bëjmë me faull ndaj sulmuesit të Teutës.