Ndeshja mes Teutës dhe Vllaznisë, e zhvilluar në “Niko Dovana” dhe e gjykuar nga Eldorjan Hamiti, pati disa raste të dyshimta gjatë zhvillimit të saj. Megjithatë, në tërësi mund të themi se i ndihmuar edhe nga VAR-i, Hamiti ka vendosur drejt dhe nuk ka ndikuar në rezultatin e ndeshjes.

49’ Topi ngec në zonën shkodrane. Bulatoviç e largon keq dhe sfera përplaset te Boshnjaku. Durrsakët pretendojnë për prekje me dorë të mesfushorit, por pamjet tregojnë qartë se pretendimet nuk janë të drejta.Pasi shqyrtohet nga VAR-i, me të drejtë vijohet loja.

61’ Gjinollari shkakton një ndërhyrje të gabuar ndaj Geralb Smajlit, që mund të hynte rrezikshëm në zonë dhe të krijonte situatë të komplikuar.

Lojtari i Teutës nuk tenton aspak topin. Nëse ndëshkohej me të verdhë, Gjinollari përjashtohej. Është moment i interpretueshëm dhe Hamiti ka vendosur ta falë Gjinollarin.

67’ Kallaku tenton të rrezikojë portën, por në duel me Gurishtën, rrëzohen të dy. Mbrojtësi i Vllaznisë kap topin me dorë, pa vërshëllyer gjyqtari, që akordon penallti pas këtij veprimi. Në fund ai vendos ta shohë në ekranin e VAR-it dhe anulon gjithçka.

Pamjet tregojnë se Kallaku ka shkaktuar faull ndaj Gurishtës dhe kjo e zhvlerëson prekjen me dorë të kapitenit të Vllaznisë.