Vllaznia-Dinamo u gjykua nga Klodian Shahini si kryesor, si dhe Denis Rexha dhe Rexhino Mersinasi si anësorë. Ndërsa në VAR ishin Kridens Meta dhe Egin Doda. Në dy raste, kryesori Shahini dhe anësori Mersinasi u shpëtuan nga teknologjia, pasi vendimet e tyre nuk ishin të drejta.

Në pjesën e parë, vetëm për shkak të ndalesës së lojës prej dy momenteve të diskutueshme, u dhanë plot tetë minuta shtesë.

12’ Kruja shërben në zonë te Latifi, që në duel me Lilajn rrëzohet, pasi ky i fundit i shkel këmbën. Arbitri Shahini vazhdon lojën, duke mos dhënë 11-metërsh. Më pas sinjalizohet nga VAR-i dhe shkon për të konfirmuar rastin, duke vendosur përfundimisht për penallti në favor të Vllaznisë. Kjo pati një vonesë prej katër minutash.

24’ Hakaj bën një harkim perfekt në zonë, aty ku Aralica mes dy mbrojtësve zhytet me kokë dhe e dërgon topin në rrjetë. Për anësorin është gol i rregullt, por duhen 6 minuta kontroll në VAR, që pozicioni të konsiderohej i parregullt, duke anuluar golin e Vllaznisë. Ishte një rast milimetrik dhe ndoshta anësori mund të shfajësohet.