Ka ardhur në fillim të këtij sezoni tek Vllaznia dhe në fillim pati jo pak pikëpyetje mbi talentin e këtij lojtari por me kalimin e javëve, Gentian Muça i ka bindur të gjithë dhe tashmë askush nuk e vë në dyshim faktin se ai e meriton fanellën e Vllaznisë. Vetë lojtari, vlerëson ambjentin që ka gjetur në Shkodër dhe mbështetjen që ka gjetur tek drejtuesit teksa thotë: “Që në momentin e parë që kam ardhur në Shkodër, dua të theksoj diçka që pritja dhe mbështetja e të gjithë drejtuesve të klubit ka qenë shumë e madhe për mua. Ishte një gjë shumë e rëndësishme për të filluar eksperiencën time tek Vllaznia, pasi kam ardhur vetëm në momentet e fundit të merkatos. Nuk mendoj që ky nuk është vendi që meriton Vllaznia dhe për këtë kemi akoma më shumë për të bërë”. Një deklaratë e tillë ka ardhur në konferencën e sotme për shtyp teksa lojtari ka shpjeguar edhe se si ndjehet nga fakti që trajneri Vata po e aktivizon në qendër të mbrojtjes duke thënë: “Nuk mund të them se është i sforcuar për mua aktivizimi në mbrojtje, por gjatë katër viteve që jam aktivizuar në Supërligë kam luajtur si mesfushor mbrojtës në një pozicion para mbrojtjes, por kjo lëvizje është nga trajneri dhe unë kam për detyrë të respektoj çdo vendim të trajnerit”. Duket profesionist në fjalët që thotë dhe po ashtu shumë optimist për të ardhmen teksa deklaron se ndaj Dinamos duhet fituar patjetër këtë të shtunë. “Duke mos parë pozitat e Dinamos duhet të shikojmë më parë veten tonë pasi dhe ne nuk jemi në pozita të favroshme për vete objektivat që ka Vllaznia. Ndaj për këto duhet të mendojmë më tepër dhe është e rëndësishme vetëm fitorja ndaj Dinamos dhe asgjë tjetër”-ka deklaruar Gentia Muça për mediat.