Nëse flasim për sportin e shahut në Shkodër padiskutim që emri i cili kurrsesi nuk mund të anashkalohet është ai i Muhamet Gradecit. Njeriut që e ka luajtur këtë sport për vite me rradhë, por më së shumti ka spikatur si trajner i shumë sukseseve me ekipin e femrave, por ka provuar të shpallet kampion edhe me atë të meshkujve.
Muhamet Gradeci ka lindur në Shkodër më 2 prill të vitit 1943 dhe që i vogël e ka pasion sportin e shahut. Merr pjesë në aktivitetet e shkollave dhe më pas, gradualisht kalon tek ekipit e Vllaznisë derisa arrin tek të rriturit.
Nga viti 1970 e më pas merr pjesë në kampionatin kombëtar që zhvillohet në Durrës duke qenë pjesë e Vllaznisë në tavolinën rezervë, nën drejtimin e trajnerit Çesk Jubani. Një vit më vonë, në kampionatin që u zhvillua në Vlorë duke luajtur në tavolinën numër 4.
Gradeci do të vazhdojë të luajë më pas rregullisht dhe në kampionatin e vitit 1975 renditet i 7-ti. Ai është në formacionin e të rriturve edhe në vitet 1976, 1977, 1979, 1981 dhe 1982.
Në këtë vit ngarkohet me detyrën e trajnerit të ekipit të vajzave, me të cilin do të arrinte më pas shumë suksese. Punon me shumë pasion duke nisur në seleksionimin e elementit cilësor ndër shkolla. E nis fillimisht me thirrjen në ekip të motrave Vuji, Albanës dhe Marinës, më pas bashkohen me të edhe Ylvije Boriçi, Arta Alushi dhe Valbona Milla.
Dhe sukseset do të vijnë menjëherë. Vllaznia shpallet kampione kombëtare si ekip që në vitin 1983 e më pas edhe në vitet 1986, 1987, 1989 dhe 1990, pra 5 tituj kampionë. Njëkohësisht fiton edhe dy trofe si ekipi fitues i Spartakiadave Kombëtare në vitet 1984 dhe 1989.
Roli i tij si trajner i Muhamet Gradecit padiskutim që është ndjerë edhe në sukseset individuale të Ylvije Boriçit (4 tituj) dhe Albana Vujit (3 tituj).
Ai do të vazhdonte ta drejtonte këtë ekip deri në gjysmën e dytë të viteve ’90 duke mbyllur kështu një kapitull shumë të suksesshëm në drejtimin e Vllaznisë së femrave.
Por ai do nuk do të largohej nga shahu. Në vitet 2007-2008 i besohet ekipi i Ekipi i Vllaznisë në shah për meshkuj dhe nën drejtimin e tij në vitin 2008 Vllaznia fiton titullin kampion kombëtar si ekip e ky përbën një sukses shumë të madh për shahun shkodran. Lojtarët e këtij ekipi kampion ishin ALEKSANDER PACI, FRANC ASHIKU, ÇLIRIM GUXHO, GEZIM NOKA e BERNARD LEKA.
Muhamet Gradeci do të ishte trajner i këtij ekipi edhe në vitin 2009, madje edhe do të luante vetë duke shfaqur edhe njëherë tjetër pasionin e tij të jashtëzakonshëm për këtë sport.
Ai është gjithnjë pranë sportit të shahut edhe sot e kësaj dite dhe është i pranishëm në çdo aktivitet që zhvillohet në Shkodër. Mbetet një figurë shumë e rëndësishme e shahut në këtë qytet por edhe në Shqipëri për kontributin e dhënë si sportist dhe në veçanti si trajner.
Gjergj KOLA/www.shkodrasport.com/