Vasil Shkurtaj ishte goditja “big” e Kukësit në merkaton e dimrit dhe si e tillë nisi, pasi sulmuesi shënoi që në prekjen e parë të topit me fanellën e verilindorëve.

Por me kalimin e javëve situata nuk ka ecur për mbarë, pasi Shkurtaj dhe stili i Longos nuk po përputhen. Sa i përket ndeshjes se djeshme me Vllazninë, mungesa e madhe e Kukësit në këtë duel ishte ajo e sulmuesit kryesor, Vasil Shkurtaj.

Burime të gazetës pranë klubit verilindor pohojnë se sulmuesi pësoi një tërheqje në seancën e fundit stërvitore dhe klubi për të mos e rrezikuar preferoi ta linte pushim.

Shpresohet vetëm që 30-vjeçari të mos ketë një dëmtim që ta mbajë më gjatë larg fushave, sepse kampionati ka hyrë në fazën më të nxehtë.

Sulmuesi u afrua në merkaton e janarit si një nga blerjet më të bujshme, por deri më tani ka qenë larg pritshmërive, pasi ka shënuar vetëm një gol në ndeshjen e parë, atë ndaj Skënderbeut.

Mbetet për t’u parë paraqitja e sulmuesit në vazhdim, për më tepër që Kukësi ka edhe një problem me golin nëndeshjet e fundit.

Deri më tani, Shkurtaj nuk është përshtatur si duhet me stilin dhe skemën e lojës, pasi nuk ka qenë një pikë referimi në fazën sulmuese.

Për këtë shkak pati dyshime dje për mospraninë e tij as në pankinë, por gjithçka ka ndodhur vetëm për shkak gjendjes, pasi ka pësuar një lëndim.