Murlani ka bërë një hap të gabuar pasditën e sotme, duke pësuar humbjen e rradhës në kampionat. Megjithatë, “ngushëllimi” i vetëm i kësaj humbjeje mund të jetë fakti që u mposhtën nga Valbona në transfertë, një ekip ky që renditet në vendet e para të tabelës së klasifikimit dhe synon ngjitjen një kategori më lart.

Një gjë e tillë ka ndodhur në ndeshjen e javës së 18-të të kampionatit, që u luajt pasditën e sotme në Tropojë dhe që u fitua 4-0 nga Valbona. Futbollistët shkodranë nuk arritën të rezistojnë më tepër se 32-minuta, atëherë kur pësuan edhe golin e parë dhe pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-0 për vendasit.

Në fraksionin e dytë, skuadra e drejtuar nga trajneri Vahedin Pepaj u mundua të barazonte rezultatin, por për rrjedhojë më pas, Valbona shënoi njëri pas tjetrit tre gola, duke fituar në këtë mënyrë krejt ndeshjen me rezultatin 4-0.

Me këtë rezultat, ekipi i Murlanit vijon të renditet në vendin e tetë në kuotën e 13-pikëve në tabelën e klasifikimit. Ndeshjen e rradhës, skuadra e drejtuar nga trajneri Vahedin Pepaj do ta luajë në shtëpinë e saj ndaj Gramshit. /Maringlen ZHIVANI/


Valbona-Murlani 4-0

Golat: Jaupaj 32’, 71’, 74’, Mziu 80’

Valbona (4-2-3-1): Braho, Rosaj (Prendi 78’), Mashi, Farruku, Sefgjinaj (Punavija 74’), Balla, Çutra, Zuna (Qelia 75’), Gjonaj (Balliu 65’), Mziu, Jaupaj (Spahiu 77’) (në dispozicion: Haxho, Ujka) Tr: Saimir Neza

Murlani (4-2-3-1): Çaku, Sekja, Çomo, Noronha, Temja, Lani (Guri 81’), Ramja (Krymi 64’), Djepaxhia, Trianoski (Arcanjo 82’), Kështejaku, Kaçubela (Muriqi 88’) (në dispozicion: Tafa, Pepaj) Tr: Vahedin Pepaj

Arbitër: Florjan Hysa

Kartonë të verdhë: Sefgjinaj 34’, Gjonaj 44’, Jaupaj 62’