Këto ditë është ndarë nga jeta ish- futbollisti i Vllaznisë Kol Gjoni (Belaj). Mbrojtësi i njohur i viteve ’60, kishte disa kohë që vuante nga disa probleme, kryesisht me këmbët e tij megjithatë askush nuk e mendoi se do të ikte aq shpejt. Ndoshta ngaqë të gjithë e kujtonin të fortë siç ka qenë në fushën e lojës kur sulmuesit kundërshtarë e kishin të vështirë ta kalonin atë.

Kola ka nisur të luajë me ekipin e parë të Vllaznisë në fillimin e viteve ’60 dhe menjëherë ka spikatur për talentin e tij. Në vitin 1965 ka arritur të fitojë Kupën e Republikës bashkë me futbollistët e tjerë shkodranë si Selami Dani, Frederik Çapaliku, Paulin Ndoja, Menduh Dedja, Hajrullah Lekaj, Nikoll Gjergji, Sadetin Zmijani, Sabah Bizi, Mehdi Milla etj. Kol Gjon Belaj u detyrua ta linte futbollin në vitin 1967 për shkak të një dëmtimi të rëndë në këmbë, pikërisht në moshën kur mund t’i jepte shumë kësaj skuadre. Ai ka vazhduar të qëndrojë pranë skuadrës së tij të zemrës duke marrë pjesë në të gjithë takimet e veteranëve që janë zhviluar derisa pak ditë më parë, pikërisht në moshën 73 vjeçare, na dha lamtumirën. Gazeta SHKODRA SPORT i shpreh ngushëllimet familjes së tij për humbjen e njeriut të dashur por natyrisht që është një humbje e madhe edhe për familjen e futbollit shkodran. Pushofsh në paqe Kol Gjoni (Belaj)!

© shkodrasport.com