Atletika shkodrane dhe Sportklub Vllaznia kane marre sot nje lajm te hidhur. Eshte ndare nga jeta ne moshen 77 vjeçare, nje nga emrat e shquar te sportit te atletikes, kampioni dhe rekordmeni i saj Llesh Vuksani.

Ai ka lindur ne Shkoder me 12 gusht 1943 dhe zgjedh te merret me atletike ne rinine e tij, madje duke qene shume i suksesshem. Për vite me radhë ishte një nga sportistët më të mirë që kishte shumësportëshi në Shkodër. Llesh Vuksani ishte pjesë e ekipit të atletikës së Vllaznisë në disiplinën e hedhjes së shtizës. Për 5 vite me radhë Llesh Vuksani u shpall kampion kampion kombëtar duke qenë absolute në hedhjen e shtizës.

Sportin e nis që në një moshë të hershme ndërsa me Vllazninë u angazhua që në vitin 1965 duke vijuar kontributin e tij si një prej sportistëve më cilësor të shumësportëshit deri në vitin 1975. Për 10 vite me radhë tregoi aftësitë e tij duke arritur rezultate të larta dhe duke shkëlqyer në disiplinën e hedhjes së shtizës.

Llesh Vuksani shumë shpejt bëri për vetë tifozë të shumtë të Vllaznisë të cilët ndiqnin të gjitha garat duke shijuar forcën dhe egon e një sportisti cilësor por edhe profesionalizmin.

Po ashtu Llesh Vuksani është 5 herë rekordmen kombëtar në hedhjen e shtizës. Për talentin dhe rezultatet e larta që tregoi në sportin e atletikës, Llesh Vuksani për disa vite u zgjodh edhe si anëtar i ekipit kombëtar të atletikës në disiplinën e hedhjes së shtizës duke përfaqësuar Vllazninë bashkë me emra të tjerë të mëdhenj asokohe.

Në pak kohë u bë ndër sportistët më të dashur dhe ende kujtohet për fuqinë që kishte në hedhjen e shtizës. Përveçse një sportist cilësor ishte edhe një person shembullor në ekipin kuqeblu. Per disa vite me rradhe, Llesh Vuksani ka qene edhe trajner ne Klubin Vllaznia teksa ka pergatitur disa hudhesa kampione.

Në vitin 2019 ai u vleresua si një prej atletëve më të mirë të shekullit në 100-vjetorin e klubit Vllaznia bashkë me emra të tjerë të njohur. Gazeta “Shkodra Sport” i shpreh ngushellimet me te sinqerta familjes Vuksani per humbjen e njeriut te saj te dashur, por edhe klubit Vllaznia, per ndarjen nga jeta te nje prej figurave te shquara te tij./SHKODRA-SPORT.COM/