Mbrëmë është ndarë nga jeta në moshën 86 vjeçare një nga emrat më të mëdhenj të historisë së futbollit shkodran: Xhelal Juka. Ai është kampioni i parë në historinë e Vllaznisë në vitet 1945 e 46, teksa përkrah Loro Boriçit, Muhamet Dibrës, Dodë Tahirit, Prek Gjeloshi, Latif Alibali, Bimo Fakja, Muc Koxhjes, Ernest Halepjanit, Zyhdi Barbullushi, Met Vasija, Adem Smajli etj. Xhelal Juka është madje edhe autor i njërit prej autorëve të golave në finalen e parë të kampionatit të vitit 1945, atë ndaj Tiranës të fituar 2-1 nga Vllaznia. Ai është kampion pra edhe një vit më pas me fanellën e skuadrës shkodrane dhe po në vitin 1946, Xhelali është pjesë e ekipit kombëtar shqiptar, që fiton Kampionatin Ballkanik.

Ka vazhduar të luajë futboll edhe për shumë vite të tjera, madje në vitin 1953, luan me Partizanin dhe fiton Kupën e Republikës. Pas lënies së futbollit, ka filluar karrierën si trajner teksa punon me moshat dhe nga viti 1959-71 është trajner i ekipit të të rinjve të Vllaznisë nga duart e të cilit kanë dalë një plejadë futbollistësh të mëdhenj si Sabah Bizi me shokë. Në sezonin 1971-72 është ndihmëstrajner i Xhevdet Shaqirit me ekipin e parë kur fitojnë edhe kupën edhe kampionatin me Vllazninë. Nga viti 1972-80 punon si trajner i ekipi të paratërinjve të Vllaznisë. Xhelal Juka është “Mjeshtër Sporti” si futbollist por ka marrë titullin e madh “Mjeshtër” për punën që ka bërë me ekipet e moshave të Vllaznisë. Devotshmëria dhe pasioni me të cilin ai e ka bërë këtë punë për shumë dekada me rradha, ka qenë shumë e veçantë. Ai ka qenë gjithnjë një shembull për brezin e ri. Figura e këtij njeriu natyrisht që ka krijuar respekt tek të gjithë. Një emër i madh i futbollit shkodran dhe atij shqiptar. Prej disa vitesh Profesor Xhelali nuk ka patur një shëndet të mirë derisa sëmundja më në fund e ka mundur. Ai mbrëmë ka mbyllur sytë por sigurisht që karriera e tij si sportist dhe puna si trajner, do jenë një udhërrëfyes për shumë breza të futbollit shkodran. Ceremonia e varrimit të Mjeshtrit Xhelal Juka zhvillohet sot në orën 13.00. Me këtë rast, gazeta online shkodrasport.com, në emër të gjithë sportdashësve shqiptarë, por edhe më gjerë, ngushëllon familjen dhe të afërmit e tij. “Pushofsh në paqe, Xhelal Juka”!

 

 

www.shkodrasport.com

Xhelal Juka (i pari nga e majta) ne nje takim miqsh ish-futbollista.