Basketbolli shqiptar është ndërprerë prej thuajse një muaji për shkak të pandemisë botërore që ka paralizuar gjithë vendin. Për herë të fundit gjitha skuadrat kanë zbritur në parket në datat 7-8 mars. Sezoni rrezikohet dhe për këtë ka folur drejtori i garave në Federatën Shqiptare të Basketbollit, Elton Saliaga.

Në një intervistë të dhënë për RTSH Sport, ai është shprehur: “Federata Shqiptare e Basketbollit dhe presidenti i saj Ponari kanë hedhur idenë për të parë se si do të eci situata në aspektin e vendimeve të Qeverisë.

Mendohet t’i çohen disa propozime përkatëse shoqatave për mënyrën se si do të veprojmë në këtë situatë. Deri më tani janë dy propozime; e para të luhet me sistem grumbullimi dhe e dyta të jetë me tre ndeshje në javë. Tashmë këto propozime i kanë shkuar klubet dhe ka një afat pritje.

FORMA E LOJTARËVE – “Varet se si do të komportohen lojtarët, se cila është gjendja e tyre, por dhe për të grumbulluar të huajt në ekipet përkatëse, aq më tepër që tashmë janë në shtëpi dhe se si do të jenë”.

SKENARI – “Federata Shqiptare e Basketbollit gjatë kësaj kohe ka bërë disa mbledhje, si me anëtarët e Komitetit Drejtues, ashtu dhe shoqatat. Më 30 prill do të kemi një mbledhje tjetër për të parë situatën dhe për të vazhduar vijueshmërinë e kësaj pune”.

VENDIMI DRASTIK – “Të gjitha opsionet janë të mundshme, por duke që në Itali ngarkesa e vdekshmërisë ka qenë e ndryshme nga vendi ynë, atëherë mbetet për të shpresuar se nuk do të ketë aq vendime drastike”.

KOMBËTARET – “Është e vërtetë që nuk do të ketë aktivitete ndërkombëtare, kjo me vendim të FIBA-s. Por gjithsesi ato do të kenë një mundësi në U-18, apo U-20, si dhe në kombëtare. Pra një person, apo një individ që stërvitet, mund ta marrë hakun e vet te një kategori më sipër se kjo”, ka përfunduar Saliaga./newsport/