Vllaznia do udhëtojë drej Durrësit për javën e 6-të të Superligës. Shkodranët përballë do kenë vendasit e Teutës, në takimin që do zhvillohet ditën e premte, në orën 17:45, në stadiumin “Niko Dovana”. Një takim që ka prodhuar gjithmonë vështirësi për kuqeblutë dhe që në edicionet e fundit është luajtur edhe për titullin kampion.

Të besuarit e Joses patjetër që duan një rezultat pozitiv, për të krijuar një vazhdimësi në kampionat. Ku realisht luhatjet kanë qenë të shumta për kuqeblutë. Por nga ana e tyre janë edhe “djemtë e detit” që duan një rezultat pozitiv.

Kjo pasi ia imponon edhe pozicioni dhe rezultatet në Superligën e këtij sezoni. Durrsakët ndodhen në vendin e 9-të të klasifikimit me vetëm 3 pikë pas 5 javësh. Pra duke mos marrë asnjë fitore në këto javë.

Ata do kërkojnë fitoren në stadiumin e tyre dhe njeriu që “kërcënon” më tepër në kampin durrsak është Rubin Hebaj. Sulmuesi shkodran shihet si njeriu kryesor i ekipit të Shkëmbit dhe shpresat janë tek ai.

Pavarësisht se Hebaj ka shënuar vetëm 1 gol deri më tani në kampionat, ai mbetet i rrezikshëm për çdo mbrojtje. Besohet se ai do jetë titullar ditën e premte kundër ekipit ku u formua dhe konfirmua si futbollist.

Hebaj ishte një nga shënuesit më të mirë të Superligës në sezonin 2021-22, ku vetëm nga janari deri në maj shënoi 10 gola. Vlerat e tij dihen dhe ai me siguri do ketë një vëmendje të veçantë nga prapavija shkodrane.
Endri ÇINARI