Egnatia ka qenë një nga skuadrat më aktive në këtë merkato te verës, ku kanë bërë disa afrime. Në lidhje me këtë, në emisionin “SportZone” në MCN TV, ka folur drejtori sportiv i rrogozhinasve, Ndriçim Shtubina, i cili u shpreh se skuadra është ndërtuar për arritjen e objektivit që është kualifikimi në Europë.

Shtubina deklaroi se 90% e skuadrës është plotësuar, ndërsa nga merkato tashmë pritet vetëm një sulmues.

Është një pozicion që e kam marrë me shumë qejf. Objektivi i klubit është Europa. Skuadra është në rritje e sipër, 90% të merkatos e kemi mbyllur dhe presim një sulmues tani. Po vazhdojmë përgatitjet për kampionatin.

Nuk është e thjeshtë, por merkato është bërë me kujdes. Kisha këmbëngulur që merkatoja të bëhej shpejt dhe presidenti ishte dakord. Unë kam besim deri në fund për arritjen e objektivit Europë. Presidenti është munduar të plotësojë çdo kusht te skuadra. Investon i vetëm në këtë klub. Ne duhet të japim maksimumin për Europën. Të rrimë me këmbë në tokë, sepse është një skuadër e re, por lojtarët janë marrë për të arritur Europën.

Largimet janë bërë për një arsye, sepse nuk u përshtatën mendimet dhe filozofia e klubit, për atë që do të bëjmë. Disa lojtarë vjet ndoshta nuk dhanë maksimumin dhe largimi ishte i pritshëm. Për momentin presim vetëm një sulmues, pjesa tjetër është gati dhe po stërvitet mirë.