Egnatia është me e përqendruar se kurrë te sfida e radhës në shtëpi me Besën. Përgatitjet e djeshme u zhvilluan në një nga fushat stërvitorë në Peqin, në mënyrë që lojtarët të përshtaten me terrenin.

Fundi i seancës së djeshme ka qenë festiv tek Egnatia, pasi kapiteni Ndriçim Shtubina me rastin e ditëlindjes së 34-t ka festuar dhe qerasur shokët e skuadrës dhe stafin. Në intervistën e dhënë para ndeshjes me Besën për “Panorama Sport”, kapiteni Shtubina u shpreh se rrogozhinasit do të zbresin në fushë vetëm për fitore, asnjë rezultat tjetër.

Shtubina festuat për herë të parë ditëlindjen tek Egnatia, si u ndiet?

E ku ka më bukur që momentet festive t’i ndash në një skuadër të bashkuar si ne. Ishte një ditë e vecantë. Kam festuar edhe herë të tjera në klubet ku kam qenë pjesë, por këtë radhë u befasova. Urimet ishin të shumta i falënderoj të gjithë, stafin dhe shokët. Të tilla momente na mbajnë më të bashkuar drejt synimeve që kemi si klub.

Ju pret një sfidë tepër e rëndësishme me Besën…

Jo vetëm për mua, por për këdo tek Egnatia është sfidë me rëndësi. Jo vetëm që i ka të tria rezultatet, por është e fortë edhe nga pikëpamja e jashtme. Ne jemi gati për të luajtur e dhënë maksimumin për të fituar. Meritojmë të luajmë “Fair Play” dhe me një gjykim korrekt do marrim fitore bindëse. Kemi punuar në të gjithë drejtimet me kohën e mjaftueshme që ka qenë në favorin tonë. Nuk mund të gabojmë si në fazën e parë ku morëm vetëm një pikë.

Një tjetër trepikësh do ta thellonte diferencën me ndjekësit e afërt, cili është dallimi midis Egnatias dhe kundërshtarit?

Kjo përballje vlen më shumë se tri pikët për ne. Duke qenë se jemi kryesues gabimet nuk na falen. Luajmë në shtëpi dhe kurdoherë luftojmë për të dalë me kokën lart nga fusha. Betejat në futboll fitohen bashkë, vetëm me qetësi e optimizëm. Sa u përket rivalëve, ne shikojmë punën tonë, ku jemi të përqendruar te rrugëtimi që kemi nisur për ta kurorëzuar me ngjitjen në Superiore. S’na interesojnë llogaritë e të tjerëve për asnjë çast.

Fusha e Peqinit si pritës ju ka sjellë fat deri tani…

Jemi mësuar duke luajtur tashmë në qytetin e Peqinit. Njohim çdo pjesë të fushës dhe dimë se si ta menaxhojmë lojën. Për momentin mbetet shtëpia e Egnatias deri kur të përfundojë stadiumi ynë. Mendoj se na ka sjellë fat që nga fillimi kampionatit e deri tani. Pikët në shtëpi i konsiderojmë “të arta” ashtu si në transferta. Shpresoj të rezultojë fatsjellëse si fushë dhe me kavajasit të marrim pikët e plota.

Keni plot tetë muaj që jeni pjesë e rrogozhinasve, ndiheni i vlerësuar nga ambienti sportiv në qytet?

Ndihem shumë mirë në skuadër dhe s’ka qenë e vështirë të përshtatem. Ka disa qytete si Rrogozhina që jetojnë me futbollin e mbështesin çdo njeri të sportit me mjaft entuziazëm. I kam vënë re që mosha të ndryshme interesohen çdo ditë për ecurinë e skuadrës. Në qytet, të gjithë më përshëndesin sikur kane vite që më njohin dhe i falënderoj për respektin.

Si kapiten, cili është mesazhi që u përcillni shokëve para ndeshjeve?

Mesazhi kryesor është që të jemi sa më të bashkuar me njëri-tjetrin, pasi kështu nuk do të mposhtemi. Ju flas shumë, në radhë të parë të mos neglizhojnë në stërvitje e të mbajnë regjim. Të gjithë kemi një qëllim. Në arritjen e objektivave, bashkimi jep fuqinë. Çdoherë duhet të shohim punën tonë me qetësi dhe të ecim përpara. Nga presidenca deri te punëtorët, thjesht këtu konsiderohen si një familje që e kanë zili të gjithë.