Ndriçim Shtubina i ka dhënë fund aventurës së tij tre-vjeçare në Rrogozhinë. Ish-drejtori i Egnatias dhe ish-trajneri i U-21 tek ky ekip është takuar me presidentin Agim Demrozi dhe kanë zgjedhur të përshëndeten me njëri-tjetrin, duke e falënderuar Shtubinën për punën e bërë tek rrogozhinasit. Tashmë, duke filluar që nga ky moment, ish-futbollisti shkodran nuk do të jetë më pjesë e Egnatias dhe në këtë mënyrë, ai ka nisur të mendojë edhe për të ardhmen e tij.

Në fakt, është vetë Shtubina që në një komunikim me “Shkodra Sport” bën të ditur se është në bisedime me dy klube të Superiores për të vijuar bashkëpunimin me to, por nuk jep detaje më të tepërta. Në një bisedë me “Shkodra Sport”, ai tregon se ka marrë disa propozime të reja nga presidentë dhe drejtues të ndryshëm klubesh në Superiore, por shprehet se nuk ka vendosur akoma asgjë.

“Kam patur një bisedë ditët e fundit me drejtuesit e klubit të Egnatias, por edhe me presidentin Agim Demrozi dhe kam vendosur që të largohem. Dua të mendoj për karrierën time, po studioj dhe po mundohem të mësoj për diçka të re. Megjithatë, tani jam gati për çdo aventurë dhe kjo falë Egnatias, klubit, presidentit Agim Demrozi dhe çdo njeriu që punon aty, më kanë dhënë mundësinë të formohem edhe si drejtues, edhe si trajner. Unë e vlerësoj shumë këtë gjë dhe do u jem mirënjohës gjithë jetën.

E ardhmja? Po, kam pasur bisedime të ndryshme në fakt. Në kampionatin shqiptar janë dy-tre mundësi, por nuk po flas me emra, sepse nuk është mirë për momentin. Nuk e kam vendosur ende, por shumë shpejt në të ardhmen do të bëhet publike.

Trajner apo drejtor? Në fakt, më pëlqejnë të dyja pozicionet (qesh), por nuk e kam vendosur akoma, sepse i kam të dy opsionet të hapura. Prandaj, jam gati për të dyja. Megjithatë, e ritheksoj se nuk e kam vendosur ende se me cilën prej këtyre dy roleve do të merrem në të ardhmen, por shumë shpejt do ta vendos dhe do të kemi diçka të re. Megjithatë, e rëndësishme është që do të jem sërish pranë futbollit”,-tha për “Shkodra Sport”, ish-drejtori sportiv i Egnatias, Ndricim Shtubina.

Padyshim që, ai tashmë do të provojë të nisë një tjetër përvojë të re në karrierën e tij, teksa mbetet për t’u parë se cila do të jetë e ardhmja e Shtubinës. Në fakt, një mundësi është edhe rikthimi në Shkodër, por gjithsesi në vazhdim pritet të mësohet se cila do të jetë e ardhmja e Ndriçim Shtubinës.
Maringlen ZHIVANI