Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s u mblodh dje në Nion të Zvicrës dhe ka vendosur të bëjë disa ndryshime drastike sa i përket ndeshjeve të kombëtareve, ose më saktësisht formatit të kualifikueseve, gjë kjo që patjetër që prek edhe Kombëtaren shqiptare.
Komiteti Ekzekutiv ka miratuar që të bëhen ndryshime, duke u modifikuar formatet aktuale të kualifikueseve të Europianit dhe Botërorit. Këto skema të reja do të hyjnë në fuqi pas “EURO 2024”, që zhvillohet në Gjermani. Kështu duke nisur nga kualifikueset e Botërorit 2026, do të aplikohet një format i ri që do t’i çojë këto skuadra drejt finaleve të turneut.
NDRYSHIMET E KUALIFIKUESEVE Kualifikueset e Botërorit 2022 ishin të ndara në dhjetë grupe gjithsej, ku gjysma ishin të përbërë nga 5 skuadra dhe gjysma tjetër me 6 skuadra, teksa Shqipëria garoi në një grup me gjashtë ekipe dhe u rendit e treta pas Anglisë dhe Polonisë.
Por si ndryshon formati për Botërorin e ardhshëm dhe për Europianin e 2028-ës. Patjetër që ky format do të jetë më i konsoliduar, me 12 grupe tashmë me katër dhe pesë skuadra, për të rigjallëruar më shumë këtë kompeticion dhe duke dhuruar më shumë garë në të gjitha nivelet.
Një format që i vjen në ndihmë edhe Shqipërisë, pasi në një grup me katër skuadra, jo domosdoshmërish duhet të jetë një Kombëtare e fortë. Kështu sa i përket rrugës për të marrë pjesë në kompeticion, fituesit e grupeve do të kualifikohen drejtpërdrejt në finalet e kampionatit europian ose atij botëror, ndërsa skuadrat e vendit të dytë ose do të kualifikohen në mënyrë direkte ose do të marrin pjesë në ndeshjet e “play off”-it (së bashku me ekipet e Ligës së Kombeve për t’u kualifikuar në finalet e kampionatit europian).
BOTËRORI 2026 PËR SHQIPËRINË Kampionati botëror që do të zhvillohet në tri shtete, Amerikë, Kanada dhe Meksikë do të vijë me një ndryshim që gjithashtu i vjen në ndihmë Shqipërisë. Nga 32 skuadra numri i pjesëmarrësve do të jetë 48, duke e shtuar me tri numrin e kombëtareve nga Europa (16 ekipe në total nga 13 që kualifikoheshin).
Kështu që shanset rriten për një kualifikim të Shqipërisë në Botëror, e cila do të ishte historike për vendin tonë. Dhjetë grupe të ndara me katër ose pesë ekipe, ku vendet e para mund të kualifikohen direkt dhe vendet e dyta ose direkt ose nëpërmjet “play off”-it që vjen nga Liga e Kombeve, ku përfaqësuesja ndodhet në Ligën B dhe ruan këtë pozitë, patjetër që është një bonus për Shqipërinë.
Kjo do të vlejë pas Europianit të vitit tjetër dhe do të aplikohet në çdo kualifikuese në vazhdim. Ajo që ka mbetur për t’u zbardhur dhe do të bëhet më vonë, është skema e ndarjes së vazove dhe shortit për këto kualifikuese.
Sa i përket datave, në grupet me pesë skuadra, fushata e eliminatoreve do të nisë në muajin mars, ose në qershor nëse ato janë duke garuar në çerekfinalet e Ligës së Kombeve, ndërkohë në ato grupe me 4 skuadra, do të nisë në muajin shtator.
NJË RAUND I SHTOHET LIGËS SË KOMBEVE Turneu do të shtojë ndeshjet, por vetëm me një raund më shumë “play off” që do të luhet në muajin mars, ndaj duke i shtuar vazhdimësi fazës së grupeve që mbaron në nëntor dhe finaleve për trofeun që luhet në qershor.
Fituesit dhe skuadrat e vendeve të dyta në grupet e Ligës A, do të marrin pjesë në këto ndeshje “play off” për të përcaktuar pjesëmarrësit në Final Four.
Skuadrat e treta të grupeve të Ligës A ndaj ekipeve të dyta në grupet e Ligës B, si dhe skuadrat e treta të Ligës B dhe vendet e dyta të Ligës C, do të luajë gjithashtu ndeshje “play off” për ngjitjen dhe rënien. Të gjithë këto ndeshje do të zhvillohen në muajin mars.