Emri i Roko Vatës ka filluar të qarkullojë gjerësisht në javët e fundit në Itali. Paraqitjet e djalit të ish-kapitenit të Kombëtares, Rudi Vata, po tërheqin vëmendjen e emrave të njohur që janë të gatshëm të hapin garë mes njëri-tjetrit për të siguruar firmën e tij, ndoshta që në janar.

Aktualisht, djaloshi shqiptar i cili përfaqëson Irlandën në arenën ndërkombëtare, është pjesë e ekipit të dytë të Sëlltik, por ka një kontratë e cila mbaron në fund të këtij sezoni. Sipas “Calciomercato.com”, kjo është ajo që ka shtyrë shumë klube të interesohen për të, duke parë se është pjesë edhe e përfaqësueseve të moshave irlandeze.

Dy klube të Serisë A, Frosinone dhe Torino, raportohet se janë gati të bëjnë lëvizjen për të siguruar futbollistin ndoshta që në janar. Atyre u bashkohet edhe një emër shumë i njohur që aktualisht gjendet në Serinë B, Sampdoria e drejtuar nga Andrea Pirlo, që kërkon talente të rinj për t’i besuar një projekti për ringritjen e klubit historik.

Tani mbetet të shihet se çfarë drejtimi do të marrë karriera e Roko Vatës, por alternativat para tij qartësisht nuk mungojnë.