Elseid Hysaj nuk po kalon një moment të mirë te Napoli. Nga një titullar i padiskutueshëm, ai ka parë shpesh veten të përfundojë në stolin e rezervave, apo edhe të luajë në krahun e majtë që nuk është i preferuari i tij.

Sikur të mos mjaftonte kjo, edhe tifozët nuk kanë reshtur kritikat ndaj lojtarit në rrjetet sociale aq sa futbollisti ka çaktivizuar edhe komentet në postimet e tij për të shmangur fyerjet.

Por tifozët “online” dhe tifozët në rrugët e qytetit të Napolit kanë mendime krejt të ndryshme dhe këtë Hysaj e ka kuptuar më së miri gjatë një shëtitje në qendër bashkë me familjarët e tij.

Mediat italiane raportojnë se Hysaj ka qenë dje duke shëtitur në qendër të qytetit bashkë me bashkëshorten e tij dhe djalin e vogël ku padyshim është njohur nga shumë qytetarë, tifozë të Napolit. Këta të fundit jo vetëm që nuk e kanë kritikuar lojtarin, por edhe e kanë mbështetur publikisht duke treguar shumë më tepër ngrohtësi ndaj tij.

Njëkohësiht tifozët janë ndalur për të biseduar me futbollistin e Napolit si dhe shumë prej tyre kanë kërkuar autografe dhe foto me Hysajn, duke treguar që kanë besim se ai mund të ndihmoj skuadrën në vijim edhe pse qarkullojnë gjithnjë e më shumë zërat se do t’i japë lamtumirën Italisë. /vipsport/