Të dielën është marrë vendimi për pezullimin katër mujor të tij, gjobitjen me 50 për qind të kontratës dhe vendimin tjetër për t’u stërvitur me të rinjtë gjatë kësaj periudhe.Xhevahir Sukaj për 4 muaj nuk do veshë fanellën e Vllaznisë. Madje drejtues të Bashkisë, institucion që ka në varësi edhe futbollin në Shkodër, deklarojnë se ai edhe për disa vite të tjera të mira, nuk do ta veshë më fanellën kuqeblu.

Vetë sulmuesit në fakt, nuk i besohet që është dënuar. Madje edhe tifozëve të shumtë të cilët çdo ditë pyesin nëse është falur apo jo Sukaj. Brenda klubit shkodran thuhet se lojtari nuk ka gjasa të falet. E vetmja mundësi për t’i bërë një privilegj, është ta lënë të lirë në muajin janar, nëse sjell në klub shumën e 50 mijë eurove dhe largohet vetëm jashtë vendit. Rrugë tjetër nuk ka. Por, në futbollin shqiptar ka ndodhur shpesh që dënime të tilla të zbuten dhe lojtarët pa kaluar shumë kohë, i kemi parë sërish në fushë. A do të ndodhë kështu edhe këtë herë? Kësaj pyetje vetëm drejtuesit e Bashkisë mund t’i kthejnë përgjigje por gjasat janë që “jo” sepse ata janë të ftohtë dhe nuk ndikohen shumë nga emri dhe fama e lojtarit. Ata duan ta kenë skuadrën nën kontroll dhe prandaj për ta, me shumë mundësi është më mirë pa Sukajn në skuadër.