Ngjitja në podiumin e Europianit dhe kurorëzimi me medaljen e argjentë e bëjnë atë boksieren me rezultatin të lartë në historinë e këtij sporti në Shqipëri.

Elsidita Selaj ka mbërritur mbrëmë në Shkodër nga Italia dhe ndërkohë mesditën e sotme bashkë me trajnerin Jetmir Kuçi ka dalë para gazetarëve për të dhënë emocionet e suksesit të saj dhe mënyrën si e ka përjetuar ajo.

“E gjithë stërvitja që unë kam bërë u shpërblye me këtë medalje. Padyshim që të jesh nënkampione e Europës është diçka fantastike dhe unë po e përjetoj në mënyrën e duhur këtë gjë.

Ka qenë jo pak e vështirë të arrish deri këtu. Jam ndeshur me kundërshtare me më shumë përvojë se unë por falë punës që kam bërë në stërvitje, ia dola.

Megjithatë tashmë është histori tjetër. Kot nuk thonë se më e vështirë është ta mbash suksesin sesa ta arrish.

Për këtë arsye, do të vazhdoj të punoj fort edhe në të ardhmen sepse jam e bindur që do të marr edhe të tjera medalje në garat e ardhshme ku unë do të marr pjesë”- është shprehur nënkampionia e Europës.
© shkodrasport.com