Nesër në 16:00 në stadiumin “Loro Boriçi” luhet një nga ndeshjet që mund të përcaktojë shumëçka në fatet e titullit kampion. Superliga rikthehet pas dy javësh mungesë me supersfidën Vllaznia – Partizani. Dueli direkt i titullit mes kuqebluve kryesues me 45 pikë dhe “demave” në vendin e tretë me 43 pikë. Sfida që historikisht është luajtur për vendet e para të renditjes i rikthehet të shkuarës së lavdishme.

Ndeshja që jo vetëm në Shkodër, por në mbarë ambientin e futbollit në Shqipëri po e presin me interes të madh. Dhe jam i sigurt që nesër Vllaznia e gjithë ne shkodranëve do vërë “tullën” e parë të titullit kampion të këtij sezoni. Por pse jam i sigurt që Vllaznia do triumfojë nesër përballë Partizanit ?

THOMAS BRDARIC: Nëse Vllaznia e këtij sezoni ka një “yll” është pikërisht trajneri kroato-gjerman. I ka bërë të gjithë për vete, jo vetëm me stilin e tij sulmues dhe spektakolar të lojës, por edhe për faktin që ka ndërtuar një harmoni të madhe në skuadër. Harmoni që mungonte prej vitesh te Vllaznia. Një shembull për gjithë trajnerët e Superligës me gjithë respektin ndaj tyre. Shembull se si duhet të sillet dhe çfarë duhet të transmetojë një trajner.

QETËSIA: Në skuadër është rikthyer qetësia pas disa ditësh të “turbullta”. Konfirmimi i licensimit të 9 herë kampionëve të vendit për në kupat e Europës ka bërë që humori të jetë i mirë dhe kuqeblutë gëzojnë një gjendje psikologjike shumë pozitive.

TIFOZËT: Nëse në të gjithë qytete e tjerë të Shqipërisë po flitet për zgjedhjet parlamentsre dhe mendja është tek politika, në Shkodër duket se diçka e tillë është harruar. Mendja është vetëm tek Vllaznia, në kafene e në shtëpinë e çdo shkodrani flitet vetëm për kuqeblutë. Shpresat që skuadra ti shpërblejë tifozët me një trofe këtë sezon janë shumë të mëdha e tifozët shkodranë si më të veçantët në Shqipëri, po bëjnë më të mirën për të përkrahur ekipin e tyre edhe në këto kohë kovidiane.

TRADITA dhe RIVALITETI: Ekipet e Tiranës kanë qenë gjithmonë ata që kanë ndezur duelet me Vllazninë. Përjashtim nuk bën as Partizani. Duelet kanë qenë të paharrueshme, edhe në vitet e fundit, ku Vllaznia i hiqte dy herë titullin nga duart të kuqve e në krahun tjetër ku 16 herë kampionët “i jepnin” një dorë Kamzës para 3 sezonesh duke qenë “pjesëtar” të rrëzimit të Vllaznisë nga Superliga. Nesër luhet akti i rradhës i duelit.

MUNGESAT: Nesër Vllaznia duket se do ketë mungesat e Gurishtes dhe Imamit. I pari për kartona ndërsa i dyti për një dëmtim. Por diçka e tillë duket se ka qenë fatsjellëse në këtë sezon për kuqeblutë pasi në rastet kur kanë munguar këta lojtarë (Gurishta kundër Kukësit 0-1 dhe Imami kundër Kastriotit 0-1), Vllaznia ka arritur të marrë pikët e plota. Por në një sfidë të tillë është e vështirë të bësh parashikime pavarësisht se ndoshta si tifoz më tepër se sa si gazetar nesë jam i sigurt që Vllaznia do fitojë. Dhe ky do jetë hapi i parë drejt titulli të 10-të kampion. / Endri ÇINARI- NEWSPORT/